Site icon Telegrafi

Bislimi: Shtyrja e zgjedhjeve në veri nuk është opsion i mirë, atë po e kërkon Vuçiqi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se shtyrja e zgjedhjeve në veri të vendit nuk do të ishte opsion e mirë, pasi sipas tij, shtyrja do ta paraqiste veriun si zonë të menaxhimit të krizave, e jo si proces i normalizimit të raporteve.

Bislimi ka thënë se ka vullnet nga partitë politike për pjesëmarrje në zgjedhje, pos Listës Serbe, që siç u shpreh ai, ky subjekt do ta kamuflojë rënien e besimit.

“Zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë, janë institucionet shtetërore që i vendosin afatet për mbajtjen e tyre. Në këtë rast, në zgjedhjet në veri të Kosovës, ka vullnet nga parti politike për të qenë pjesëmarrës në zgjedhje. Ky vullnet mungon vetëm nga një subjekt politik dhe do të ishte gabim që vullneti politik i shumicës së subjekteve politike t’i nënshtrohej interesave joparimore të një subjekti të vetëm politik, për të cilin ne besojmë se deklarimi për mospjesëmarrje në zgjedhje e kanë jo për arsye të kalkulimeve momentale, por për shkak se duke qenë se kanë parë rënien e madhe të besimit te qytetarët, ata duhan që këtë ta kamuflojnë përmes ikjes së mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Bislimi në intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai tha se zgjedhjet nuk bën të shtyhen dhe se protagonisti kryesor për shtyrjen e tyre është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që mendojnë që në këtë moment më mirë që veriu të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave, e jo të hyjë në një proces të normalizimit të raporteve. Për momentin, protagonisti kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve është Vuçiqi i cili edhe kërkon koncesione për pjesëmarrje në zgjedhje”.

Bislimi  tha se ka edhe zëra opozitarë në Kosovë që i bashkohen narratives së Vuçiqit, pwr shtyrjen e zgjedhjeve.

“Është shumë gabim që edhe zëra nga politika në Kosovë i bashkohen kësaj narrative të zotëri Vuçiqit. Ajo që është me rëndësi të thuhet është që me deklarimet e tij të djeshme, zotëri Vuçiqi në disa instanca e ka shkelur edhe marrëveshjen bazike të datës 27 shkurt, por edhe aneks-implementimin e 18 marsit për arsye se deklaratat e tij qartazi tregojnë se ai nuk është i interesuar të ndërtojë raporte të fqinjësisë së mirë me Kosovën, është ende i interesuar që të interferojë në punët e brendshme të Kosovës dhe të pengojë normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Bislimi.

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto zgjedhje ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

Exit mobile version