Site icon Telegrafi

Bislimi në SHBA: Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc është tregues se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve

Në Shtëpinë e Bardhë, zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me Drejtorin e lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të administratës Biden, ambasadori Michael Carpenter.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen ndaj Kosovës, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi partneritetin, miqësinë dhe aleancën e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në takim u bisedua mbi perspektivën e dialogut dhe rrugën përpara në normalizimin e marrëdhënieve, me theks në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të Ohrit, ku Kosova vazhdon të mbetet konstruktive dhe e angazhuar në proces”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se edhe sulmi i fundit terrorist javën e kaluar në Varagë të Zubin Potokut në kanalin e Ibër Lepencit, është tregues i radhës se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve dhe fqinjësi të mirë.

“Ai theksoi dhe nevojën që akti i agresionit i Banjskës i shtatorit të vitit të kaluar si dhe sulmi i fundit në Ibër Lepenc të ndëshkohen me masa konkrete, në mënyrë që të parandalohet që Serbia të përsëritë sulme të përmasave të tilla që minojnë sigurinë e vendit dhe të rajonit”.

Më tej, ai foli për politikat nxitëse të ndërmarra nga qeveria për të mbështetur komunitetin serb në Kosovë dhe lehtësimin e integrimit të tyre./Telegrafi/

Exit mobile version