Telegrafi

Bislimi: Me BE-në po diskutohen 20 modalitete për targat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se i ka dërguar shkresë emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për çështjen e targave.

Bislimi, nuk dha detaje për përmbajtjen e kësaj shkrese, duke thënë se kjo do ta dëmtonte procesin apo një dalje të mundshme nga kriza.

Bislimi, në Tëvë1, tha se pjesë e diskutimit janë rreth 20 modalitete.

Ai ka thënë se cilindo prej atyre propozimeve e përkrahin, dhe do ta bëjnë publike se për cilin propozim do të ketë pajtueshmëri.

”Ne jemi ende në kontakt me Lajçakun. Sot i kemi dërguar edhe me shkrim atë mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Dhe atë moment që ne kemi dakordim e bëjmë publike. Modaliteti janë 20 sosh, në 20 mund të jetë secili, por për të cilin ne kemi diskutuar, edhe të cilin jemi duke e suportuar është diçka tjetër”, ka thënë Bislimi.

Ai potencoi se Bashkimi Evropian është i interesuar që të mos ketë tensione në terren.

Sipas masave të marra nga Qeveria e Kosovës, të hënën fillon gjobitja për targat ilegale.

Qeverisë Kurti i është kërkuar edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja që të shtyjë vendimin për targat si dhe të nisë themelimin e Asociacionit të komunave serbe.