Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se në Komitetin e Stabilizim-Asociimit, mbledhja e pestë e së cilit është mbajtur gjatë të enjtes është diskutuar edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Kështu njofton Bislimi përmes një postimi në Facebook.
“Sot u mbajt mbledhja V e Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Në këtë komitet u diskutuan zhvillimet më të fundit kryesore në Kosovë dhe u vlerësua gjendja në lidhje me kriteret politike dhe ekonomike, përafrimin me acquis dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA)”, shkruan Bislimi.
Tutje ai bëri të ditur se gjatë fjalës së tij ka deklaruar se është rigjallëruar procesi i reformave evropiane, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Në fjalën time theksova se në mandatin tonë kemi rigjallëruar procesin e reformave evropiane, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne mbetemi vendi i parë në rajon sa i përket vaksinimit të popullatës dhe rritjes ekonomike, e cila parashikojmë të arrijë shifër dyshifrore deri në fund të këtij viti. Përmes Pakos për Ringjalljen Ekonomike gjithashtu po e mbështesim punësimin, ekonominë e prodhimit, familjet, shërbimet publike dhe investimin në infrastrukturë”, shkruan Bislimi.
Bislimi tha se në prill, është formuar Strukturat Koordinuese të Procesit të Integrimit Evropian, Këshilli Ministror është takuar dy herë, ndërsa Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe Agjenda për Reforma Evropiane ERA II është miratuar në Kuvend këtë muaj.
“Për zbatimin e tyre kemi paraparë plan të detajuar të monitorimit dhe bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin, Ministritë dhe institucionet e pavarura. Hovi i shpejtë i reformave ka filluar dhe ne veçse kemi implementuar 25 veprime të ERA II, sipas monitorimit tonë preliminar. Përmbushja e këtyre reformave luan një rol të rëndësishëm si udhërrëfyes i përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe zbatimin e MSA-së”, shkruan Bislimi në Facebook.
Ai tha se në mbledhje u vlerësua dhe u miratuan rezultatet e mbledhjeve të shtatë nën-komiteteve dhe një grupi të veçantë, të mbajtura gjatë vitit të kaluar.
“Në mbledhje u diskutua për prioritetet e reformave në një sërë fushash, përfshirë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, konkurrencën dhe klimën e investimeve, si dhe punësimin dhe arsimin”, thekson zëvendëskryeministri. /Telegrafi/