Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në një takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.
Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se Bislimi shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin dhe përkushtimin e ambasadorit ndaj vendit tonë përgjatë mandatit të tij.
“Zëvendëskryeministri theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati dhe partneri kryesor i Republikës së Kosovës dhe vazhdojmë të thellojmë marrëdhëniet e lidhjet mes nesh.
Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri foli edhe rreth vizitës së fundit të zhvilluar në ShBA e për takimet e shumta dhe të frytshme të zhvilluara atje”, thuhet në njoftim.
Tutje, Bislimi e falënderoi ambasadorin për bisedën e takimin e sotëm, si dhe bashkëpunimin në këto tre vitet e fundit, duke i uruar edhe suksese në vijim në detyrat e tij të ardhshme.
Ndërkaq ambasaroi Hovenier ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj një Kosove sovrane, demokratike dhe multietnike, duke thelluar mbështetjen për avancimin e vendit drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik.
“Gjatë takimit tim të lamtumirës me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi sot, ripërsërita angazhimin tonë për një Kosovë sovrane, demokratike dhe multietnike dhe forcojmë mbështetjen tonë për progresin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik,” shkroi ambasadori Hovenier./Telegrafi/
In my farewell meeting with Deputy Prime Minister @BislimiBesnik today, I reiterated our commitment to a sovereign, democratic, and multiethnic Kosovo and reinforced our support of Kosovo’s progress towards European and Euro-Atlantic integration. pic.twitter.com/DAfESSPeU5
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 9, 2024