Site icon Telegrafi

Bislimi: Mbrëmë emisarit Lajçak ia kemi dorëzuar një dokument 5-faqësh për heqjen e masave të BE-së

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se të martën mbrëma ia kanë dorëzuar një dokument me pesë faqe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes së cilit kanë argumentuar se pse Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së.

“Mbrëmë z. Lajçak ia kemi dorëzuar një dokument 5-faqësh, ku kemi treguar se pse Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Zakonisht thuhet se Kosova i ka përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat e BE-së, por mbetet edhe diçka të bëhet në këtë drejtim”, ka deklaruar Bislimi në konferencë për media.

Në dokument ai ka thënë se kanë listuar rreth 10 aktivitete që Qeveria i ka ndërrmarrë që nga qershori i vitit të kaluar, “për të cilat besojmë se Komisioni Evropian i ka rrugët e hapura që të deklarojë se Kosova është shumë konstruktive dhe duhet t’i hiqen masat”.

“Këshilli i BE-së ka konstatuar në dhjetor se janë të interesuar dhe të gatshëm që t’i kthehen diskutimit për heqjen e masave dhe këtë ta bëjnë të ndërlidhur me një shkresë që z. Borrell duhet ta dërgojë te palët me rekomandimin për heqjen e masave”

“Ne mendojmë se z. Borrell ka më shumë se që duhet argumente për ta dërguar këtë letër, por mosdërgimi i kësaj letre mund të krijojë indikacione se masat po keqpërdoren për ndonjë synim tjetër, i cili nuk ndërlidhet me eskalimin në pjesën veriore të vendit”, është shprehur zëvendëskryeministri mes tjerash. /Telegrafi/

Exit mobile version