Site icon Telegrafi

Bislimi: Kosova mund të përfitojë 882 milionë euro nëse plotësohen reformat e dakorduara me KE-në

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se për katër vitet e ardhshme Bashkimi Evropian (BE) i ka ndarë 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku 882 milionë euro mund të jenë për Kosovën kur të plotësohen reformat e dakorduara.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë në një konferencë për media bëri të ditur se sot kanë aprovuar agjendën e reformave në kuadër të planit të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Ky plan ka për qëllim që vendin tonë ta sjellë më afër Bashkimit Evropian duke na ndihmuar në nxitjen e rritjes ekonomike, përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike si dhe qasjen në tregun unik të BE-së.  Për katër vitet ardhshme janë bërë të disponueshme nga Komisioni Evropian edhe 6 miliardë euro për gjashtë vendet e rajonit. Kosova mund të përfitojë rreth 882 milionë. Këto fonde të destinuara për vendin tonë arrihen kur ne i plotësojmë reformat që jemi dakorduar me Komisionin Evropian”, ka thënë Bislimi.

Bislimi tha se: “Nga kjo shumë rreth 253 milionë euro janë grante kurse pjesa tjetër janë hua afatgjate…kjo nënkupton që këto hua të kthehen pas 10 viteve dhe atë me normë jashtëzakonisht atraktive të interesit dhe kthehen për një periudhë 40 vjeçare”.

Bislimi po ashtu shtoi se në mesin e reformave të dakorduara bëjnë pjesë përforcimi i administratës, organizimi i ministrive të linjës, plotësimi i kornizës ligjore të prokurimit, siguria kibernetike, forcimi i zbatimit të kornizës legjislative, të drejtat e komuniteteve joshumicë. /Telegrafi/

Exit mobile version