Site icon Telegrafi

Bislimi e Petkoviq në Bruksel, Lajçak: Do të diskutojmë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, ka pritur në takime të ndara këtë të martë kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin.

Lajçak ka thënë se tashmë është duke pritur një takim në kuadër të dialogut, në nivel të negociatorëve për të diskutuar për marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve si dhe çështjet aktuale urgjente.

Lexo po ashtu Takimi në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, kërkohet që palët të ruajnë atmosferën konstruktive

“Sot mirëpres takimin në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit (të raporteve) dhe çështjet aktuale”, ka shkruar emisari në rrjetin social Twitter.

Ndërkohë, para takimit zyrtarë të BE-së kanë theksuar se presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që janë marrë veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se vetë palët janë zotuar të përmbahen nga çdo veprim që do të kishte efekt të kundërt.

“Pra, shpresojmë që ajo që kemi qenë dëshmitarë gjatë ditëve të fundit, sidomos në Kosovë dhe në veri nuk do të ketë ndikim në takimin e nesërm. Takimi i kryenegociatorëve nesër është i rëndësishëm sepse ata do të diskutojnë. Ata do të takohen në fakt për herë të parë zyrtarisht pas marrëveshjes së Ohrit dhe do të punohet dhe diskutohen hapat e nevojshëm për zbatimin e zotimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi i saj”, është shprehur Stano. /Telegrafi/

Exit mobile version