Site icon Telegrafi

Bislimi dhe zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës flasin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar me zëvendës-sekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

Bislimi ka bërë të ditur se gjatë takimit me Berge kanë diskutuar mbi aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.

Ai tutje ka bërë të ditur se është diskutuar edhe për situatën në Ukrainë, ku ka ritheksuar se Evropa duhet të jetë e bashkuar.

“Gjatë takimit me Zëvendës Sekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, u ritheksua se Evropa duhet të jetë e bashkuar jo vetëm në çështjen e Ukrainës, por edhe në çështjet e tjera të cilat ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor”.

“Diskutuam mbi aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, ku u theksua se progresi i Kosovës në reformat e rekomandimet e BE ka vijuar me rezultate pozitive”.

“Gjithashtu u riafirmua rëndësia që bashkëpunimi i Kosovës dhe Këshillit të Evropës të vazhdojë intensivisht si pjesë e Komisionit të Venedikut, Bankës së Këshillit të Evropës, Kuvendit dhe Komunave si dhe të punohet maksimalisht për përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme në vijimin e progresit në reformat kyçe dhe prioritare në kuadër të ERA II si dhe përkushtimi në vlerat dhe politikat e Bashkimit Evropian”, ka thënë Bislimi. /Telegrafi/

Exit mobile version