Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shef i ekipit negociator të Kosovës me Serbinë, Besnik Bislimi, ka akuzuar palën serbe se po i keqpërdor takimet në Bruksel.
Të premten, palët negociatore nga Kosova dhe Serbia dështuan të arrijnë marrëveshje për targa gjatë një takimi të ndarë që patën me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Pas përfundimit të takimi, Bislimi tha se pritjet për arritjen e marrëveshjes kanë qenë të mëdha, pasi takimi ishte ftuar nga pala serbe, e cila kishte deklaruar se do të vinte me propozime konkrete.
Por, sipas Bislimit, arsyeja pse nuk ka marrëveshjes është se pala serbe ka ikur për në aeroport dhe nuk ka mundur të qëndrojë deri në fund.
“Fatkeqësisht pamë sjellje të çuditshme të palës serbe. Thotë se ka ide po s’mund ta shpalosë se ka probleme politike. Udhëtimi ka qenë krejt i kotë sepse si duket kanë ardhur në Bruksel sa për të krijuar lajmet në media se dëshirojnë të bisedojnë, por pa kurrfarë ideje, propozimi a zgjidhje”, është shprehur para mediave ai.
Tutje, Bislimi ka thënë se për energjinë ka zgjidhje të lehtë e të mundshme, por që pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për konfirmim final.
Për këtë takim në Bruksel të premten ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se Beogradi zyrtar nuk është i interesuar të arrijë marrëveshje.
“Nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, por besoj që ndërmjetësuesi Lajçak do ta shpjegoj se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema. E di që kyrenegociatori ynë, Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ, por qartazi Beogradi s’është i interesuar të ketë marrëveshje”.
“Ndërkaq, ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit, që ta sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja, e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, ka thënë Kurti për RTK-në. /Telegrafi/