Telegrafi

Biserko: Kosova dhe Serbia duhet ta pranojnë planin franko-gjerman, Perëndimi nuk do të lejojë një front të dytë në Ballkan

Pyetja që shtrojnë mediat në Serbi është se çfarë masash do të aplikojnë BE-ja dhe SHBA-të nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e pranon ofertën, planin franko-gjerman, për marrëveshje me Kosovën.

A e presin Serbinë sanksionet, ndërprerja e negociatave për anëtarësim në BE, tërheqja e investimeve dhe të ngjashme?

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë se “e gjithë kjo do ta vë Serbinë në një situatë shumë kritike”.

“Është në dorën e qytetarëve, por edhe të opozitës të ngrenë zërin dhe të bëjnë presion ndaj qeverisë për të vepruar me përgjegjësi. Serbia nuk duhet të lejojë që të jetë peng i Rusisë dhe politikës së saj shkatërruese, të cilën do të paguajë”, vlerëson Biserko.

Duke komentuar reagimin e presidentit të Serbisë ndaj propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Sonja Biserko thotë për “Danas” se “vizitat gjithnjë e më të shpeshta të zyrtarëve nga SHBA-të, NATO-ja, BE-ja dhe shtetet anëtare të veçanta tregojnë se është duke u zhvilluar aksioni diplomatik, i cili synon ta sjellë Serbinë në atë pikë ku duhet të vendosë patjetër për përcaktimin e saj”, transmeton Telegrafi.

“Vizita e Derek Schole është padyshim një nga më të rëndësishmet sepse edhe ai erdhi me një ofertë. Nuk ka të bëjë vetëm me ringjalljen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por në tavolinë është edhe një ofertë për Kosovën dhe Serbinë, e cila duhet pranuar”, mendon ajo.

Biserko thotë se “Pas festës së 9 janarit në lindje të Sarajevës [Ditës së Republikës Serbe në Banjallukë], si dhe dhënies së dekoratës për presidentin rus, Vladimir Putin dhe paradës së ‘Vagnerëve’ [formacion paraushtarak i Putinit], si dhe pranisë së tyre në Serbi, respektivisht mobilizimit të qytetarëve të Serbisë për luftën në Ukrainë, janë provokime që Perëndimi nuk do t’i tolerojë më”.

“Perëndimi nuk do të lejojë një front të dytë në Ballkan, çfarëdo që të thotë kjo”, thekson Biserko.

Sipas saj, në momentin kur ambasadori suedez në Zagreb thotë se nuk përjashtohet përshkallëzimi në luftë mes Rusisë dhe NATO-s, nuk duhet nënvlerësuar aksioni aktual diplomatik perëndimor që synon stabilizimin dhe konsolidimin e Ballkanit.

“Nuk ka kohë për të zvarritur apo për të pritur oferta të reja”, përfundon Biserko. /Telegrafi/