Në një deklaratë e përbashkët të zëdhënësit të Qeverisë Federale të Gjermanis, Steffen Seibert dhe atij të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, janë bërë të ditura detajet e bisedës telefonike që patën sot gjatë ditës Kancelarja Angela Merkel dhe Kryeministri Albin Kurti.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se “gjatë bisedës ata shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon.
“Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend. Në këtë kontekst, Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë”, thuhet në deklatatë, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu thuhet se u diskutua edhe për luftën ndaj virusit Korona. Kancelarja premtoi se do ta shqyrtojë mbështetjen ndaj Kosovës për trajtimin e kësaj krize.
“Gjithashtu, u diskutua edhe mbi dialogun e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të vendosur në vitin 2018, nga qeveria e atëhershme. Kancelarja përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit kosovar për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, kjo pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën që shkoi. Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës. Të dy besojnë se nuk duhet të ketë pengesa në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Kancelarja dhe Kryeministri i Kosovës mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i këtij procesi mbetet arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe e cila i shërben popujve të të dy shteteve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/