Ekipi i Deontay Wilder planifikon t’i rikthejë bisedimet me përfaqësuesit e Anthony Joshuas për një duel, menjëherë pasi kampioni i WBC-së të ndeshet me Tyson Furyn.
Më 1 dhjetor të këtij viti, boksieri amerikan do ta mbrojë titullin e tij përballë boksierit britanik në meçin që zhvillohet në Los Angeles.
Ndërsa kampioni i unifikuar, Joshua, dëshiron të ndeshet me fituesin në mënyrë që t’i fitojë të gjithë titujt dhe të bëhet kampion i padiskutueshëm.
Bashkëmenaxheri i Wilder, Shelly Finkel, është i hapur për t’i rinisur bisedimet me promovuesin e AJ, Eddie Hearn, menjëherë pas meçit kundër Tyson Furyt në Staples Center.
“Pas duelit, natyrisht. Nuk ka asgjë për të folur para meçit. Pas 1 dhjetorit, me dëshirë do të bisedoja me të ose (babanë e tij) Barry (Hearn) ose me të dy”, ka thënë Finkel për Sky Sports.
I pyetur nëse Wilder dhe Joshua mund të arrijnë marrëveshje për një duel në vitin 2019, Finkel ka thënë: “Kjo varet prej tyre”.
Dueli i ardhshëm i Joshuas do të zhvillohet më 13 prill në Wembley, ndërsa Hearn ka thënë se ai është duke punuar që kundërshtari të jetë Wilder. /Telegrafi/