Telegrafi

Biografia e ministrave të rinj në Maqedoninë e Veriut

Mandatari Zaev në Kuvend e ka dorëzuar propozimin për qeverinë e re së bashku me biografinë e ministrave që deputetët të njihen me ministrat e rinj.

Në biografinë e Zaevit krahas karrierës profesionale, shkruhet se është rritur në familje tradicionale dhe modeste që është marrë me bujqësi dhe se që nga mosha e re është kyçur në biznesin familjar bujqësor.

Zaev u bë sinonim për guxim dhe prirës në luftën për drejtësi, liri dhe demokraci, shkruhet në biografinë e tij.

Për Goran Milevski, lideri i PLD, shkruhet se para se të bëhet deputet, ka qenë profesor i ekonomisë në një shkollë në Manastir, dhe se ka njohuri nga MS Office dhe Internet.

Ministri i ekologjisë, Naser Nuredini është arsimuar për biznes ndërkombëtar në Austri, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Në kolonën për gjuhët që i flet rrjedhshëm janë gjuha shqipe, angleze, gjermane dhe gjuha italiane, ndërsa në kolonën vetëm “flet” është gjuha maqedonase dhe serbe.

Më modeste është biografia e Arianit Hohxës, në gjysmë faqe të formatit A4. Fatmir Besimi ka biografi më të gjatë, në 10 faqe me shkronja të imta.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe në biografinë e tij ka vendosur edhe fotografi në të cilën është emri i vjetër i shtetit – Republika e Maqedonisë.

Kryeministri teknik dhe sipas të gjitha gjasave ministri i ri i punëve të brendshme, në pjesën e gjuhëve ka harruar ta shtonte gjuhën rome.

Sa u përket shkathtësive kompjuterike, biografi më të pasur ka kryetari i Shtipit, Bllagoj Boçvarski i cili do të jetë ministri i ri për transport dhe lidhje. Ka diplomuar në Fakultetin arkitektonik në Shkup, ndërsa ka certifikatë për 3DS Max, si dhe njohuri nga Auto CAd dhe Archi Cad.

Ministrat tjerë nuk e kanë theksuar, ndërsa tjerët kanë shkruar se kanë njohuri nga Microsoft Word, Microsoft Excel, Microsoft Power Point, Microsoft Outlook dhe Internet Explorer.

Seanca në Kuvend për zgjedhje të Qeverisë së re është caktuar për të shtunën.