Reperi i njohur BimBimma më datë 24 gusht do të promovojë albumin e tij më të ri me titull “BIMA”.
Ky album i ri është vazhdimësi e maratonës së albumeve të suksesshme që përshkruajnë karrierën e tij.
Albumi i parafundit ishte “Rrajt”, ndërsa po e vazhdon me “Bimën”, e cila po rritet në hip hop të vërtetë, pa kaluar në komercialitet, pa u vyshkur, por duke qëndruar gjithmonë frytëdhënëse e hip hop-it të pastër.
Në një intervistë për Telegrafin, reperi ka shpalosur detajet ekskluzive të këtij albumi, për të cilin ka punuar intentisivisht disa vite, dhe do ta promovojë me një koncert madhështor.
“Kam përfunduar punën për albumin tim më të ri “Bima”. Rreth katër vite punë intensive. Janë bërë 40 këngë, janë incizuar 28 këngë , ndërsa rreth 18-20 prej tyre do të hyjnë në album. Kam shumë bashkëpunime dhe emra të njohur në këtë album”, tha BimBimma për Telegrafin.
Në vazhdimin e bisedës, ai tregoi edhe për emrat që ka bashkëpunuar për këtë projekt gjigant.
“Promovimin e këtij albumi do ta bëjë më datë 24 gusht në pishinën e Gërmisë. Në këtë koncert do të performojnë live: Blunt dhe Real 1, MC Kresha, Lyrical Son, ErgenNR, Elinel, Keepman, Albulena Jashari, Arianit Bellopoja dhe Genci, përcjellë nga DJ PM, Dagz dhe Bujaga. Biletat do të dalin së shpejti në shitje, ndërsa numri i biletave do të jetë i limituar. Nine2Music është producenti që gjithashtu ka punuar për këtë album”, tregon më tej reperi.
Ndonëse në një kohë krize, ku është më e vështirë se asnjëherë të realizosh album, BimBimma shprehet se nuk e ka ndër mend të ndalet. Ai madje sfidon veten, duke dashur të jetë vazhdimisht aktivë me “pasaportën” më të mirë të një këngëtari/reperi.
“Unë do vazhdoj gjithnjë të realizoj albume. Përderisa bëj muzikë të vërtetë, do vazhdoj t’i servoj publikut atë që me vite kam bërë dhe vazhdoj ta bëjë me përgjegjësi. Ky album është vazhdimësia e albumeve që kanë përshkruar rrugëtimin tim si reper”, përfundoi rrëfimin e tij BimBimma për Telegrafin.
Përmes rrjeteve sociale, reperi i ka prezantuar fansat edhe me pamjen e albumit, e cila është punuar me kujdes, dhe pasqyron më së miri punën e katër viteve të shpenzuara për realizimin e tij.
Nga data 24 gusht, fansat e BimBimma do të kenë mundësinë ta kenë në dorë albumin më të ri “Bima” të reperit. /Telegrafi/