Site icon Telegrafi

Bilek: Liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendën kryesore të Presidencës çeke të BE-së

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafi.com, ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek ka folur për prioritetet e shtetit të tij gjatë kryesimit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendën kryesore të Presidencës çeke.

“Jemi të gatshëm që të nisim debat në të gjitha organizmat punues të Këshillit të BE-së. Megjithatë, dua që të ju rikujtoj, se vendimi për këtë është në dorën e vendeve anëtare. Por ende e shoh një rol të rëndësishëm për liderët e Kosovës. Ata duhet të vazhdojnë të bisedojnë me vendet anëtare në lidhje me dyshimet e tyre dhe të sjellin argumente konkrete në mënyrë që t’i bindin ata”.

Diplomati nga Çekia ka treguar edhe hapat që mund të ndihmojë ky shtet në integrimin e Kosovës në mekanizmat e Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se kryesimi i BE-së nga shteti i tij po vjen në kohë problematike kur po ndodh agresioni i Rusisë ndaj shtetit të Ukrainës.

Bilek ka thënë se Kosova po ashtu edhe Serbia duhet që të bëjnë më shumë për përparimin e mëtejmë të dialogut dhe se suksesi i dialogut do të jetë vendimtar për rrugën evropiane të të dyjave vendeve.

Lexoni intervistën e plotë:

Telegrafi: Çekia mori kryesimin e BE-së, çështja e liberalizimit të vizave dhe normalizimi i relacioneve Kosovë-Serbi janë prioritete për Ballkanin Perëndimor, a mund të ndani me neve më shumë detaje për këto?

Pavel Bílek: Presidenca çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian po fillon në një moment shumë të vështirë kur e gjithë Evropa po përballet me pasojat e agresionit brutal rus në Ukrainë. Marrja me këto punë komplekse, sigurisht se nuk do të thotë se ne po e harrojmë Ballkanin Perëndimor. Ky rajon natyrisht se është prioritet i Presidencës Çeke për marrëdhëniet me jashtë. Presidenca do të mbështesë edhe më tej procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne do ta bëjmë më të mirën tonë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Do t’i kushtojmë vëmendje më të veçantë situatës në Bosnje dhe normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenca nuk është direkt e përfshirë në dialog, vendet anëtare të BE-së kanë për detyrë lehtësimin e dialogut në mes të dy vendeve, ndërsa Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák gëzon mbështetjen e tyre të plotë. Megjithatë ne po ndjekim për së afërmi zhvillimin e dialogut. Është e vërtetë se si Kosova, po ashtu edhe Serbia do të duhet që të bëjnë më shumë për përparimin e mëtejmë të dialogut. Suksesi i dialogut do të jetë vendimtar për rrugën evropiane të të dyjave vendeve.

Telegrafi: A mund të ketë lëvizje pozitive për liberalizimin e vizave gjatë Presidencës çeke të Bashkimit Evropian?

Pavel Bílek: Ne vërtetë shpresojmë për përparim të mëtejmë të këtij procesi. Liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendën kryesore të Presidencës Çeke dhe jemi të gatshëm që të nisim debat në të gjitha organizmat punues të Këshillit të BE-së. Megjithatë, dua që të ju rikujtoj, se vendimi për këtë është në dorën e vendeve anëtare. Por ende e shoh një rol të rëndësishëm për liderët e Kosovës. Ata duhet të vazhdojnë të bisedojnë me vendet anëtare në lidhje me dyshimet e tyre dhe të sjellin argumente konkrete në mënyrë që t’i bindin ata.

Pavel Bílek, Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: Cilat sot janë marrëdhëniet Kosovë – Çeki?

Pavel Bílek: Le të kthehemi pak më përpara. Çekia mbështet Kosovën që prej fillimit të viteve të 90-ta. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Çekia ishte një nga donatorët ndërkombëtarë që ndihmonin Kosovën në pothuajse të gjitha fushat e jetës nëpërmjet bashkëpunimeve dypalëshe dhe shumëpalëshe. Çekia së bashku me partnerët e saj ka marrë pjesë në zhvillimin kosovar të sistemit të drejtësisë, infrastrukturës, edukimit, kulturës, institucioneve sociale… dhe ne vazhdojmë që të ndihmojmë nëpërmjet programeve të ndryshme të BE-së, agjencive të OKB-së, OSBE-së dhe bashkëpunimeve të drejtpërdrejta dypalëshe.

Çekia është mbështetëse e Kosovës në aspiratat e tyre euroatlantike, e cila reflekton dëshirat për të ardhmen e kosovarëve. Për të arritur këtë qëllim, Kosova ende duhet që të vazhdojë forcimin e sundimit të ligjit dhe të institucioneve të tyre demokratike. Çekia po ndihmon Kosovën në ndërtimin e një vendi modern evropian. Duke ndihmuar në këtë drejtim, Çekia për disa vite me radhë në mënyrë aktive po ndihmon dhe mbështet Kosovën drejt këtyre qëllimeve duke zbatuar shumë projekte zhvillimore dhe të bashkëpunimit në tranzicion. Gjithashtu mos të harrojmë edhe ndihmën e Çekisë gjatë pandemisë COVID-19.

Sigurisht, ka gjithmonë hapësirë për përmirësim. Periudha e pandemisë ka shkaktuar ngadalësimin e kontakteve tona dypalëshe. Gjatë viteve të kaluara, kemi pasur takime dhe vizita të nivelit të lartë. Para disa javësh, shenja e parë inkurajuese ishte vizita e zëvendësministrit për Punë të Jashtme të Republikës Çeke, Martin Dvořák. Takimet e tij në Kosovë konfirmuan nivelin e lartë të bashkëpunimeve tona dypalëshe në një numër të fushave të ndryshmeve dhe interesin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Duke folur në lidhje me ekonominë, dua të shpreh kënaqësinë në rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare. Mund të shihni shumë vetura të prodhimit çek në rrugët e Kosovës, banorët e Prishtinës po përjetojnë standarde më të larta të udhëtimit me autobusë modernë të prodhuara në Çeki, dhe kosovarët në shumë qytete dhe vende përdorin ujë të pastër duke ju falënderuar teknologjive çeke të trajtimit të ujërave të zeza. Veçanërisht jemi krenar edhe me suksesin e Gjirafës, kompani kjo e cila kishte filluar veprimtarinë me investimet çeke.

Telegrafi: Në cilat fusha mund të ndihmojë Çekia shtetin e Kosovës në rrugën e saj për integrim në Bashkimin Evropian?

Pavel Bílek: Çekia e mbështet Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si në planin dypalësh po ashtu edhe si vend anëtar i BE-së në kuadër të  gjitha programeve të BE-së në të cilat ato vende marrin pjesë. Procesi i integrimit evropian sigurisht se përfshinë një gamë të gjerë të reformave dhe detyrave, dhe me përmbushjen e tyre, Kosova gradualisht do t’u përshtatet kërkesave të BE-së. Çekia ka qenë një përkrahëse e madhe e proceseve të transformimeve demokratike në Kosovë. Përvoja jonë historike tregon rëndësinë e të drejtave të njeriut, demokracisë, sundimit të ligjit, mediave të lira dhe një shoqërie civile në ngritje si pjesë e para-kushteve të anëtarësimit në BE.

Jemi gati që të ndajmë përvojën tonë për realizimin e këtij qëllimi. Mbesim të gatshëm të kontribuojmë në përpjekjet e forcimit të sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe mediave të lira në Kosovë. Prej shumë vitesh ne po drejtojmë projekte konkrete në këto fusha. Si shembull i fundit, dëshiroj që të përmend projektin për mbikëqyrjen civile dhe shtetërore mbi financimin e subjekteve politike dhe fushatat parazgjedhore, projekt i cili është zbatuar viteve të fundit. Viteve të fundit gjithashtu ne kemi zbatuar disa projekte zhvillimi dhe tranzicioni duke ndihmuar pakicat kombëtare, personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet e pa favorizuara. Vëmendje të veçantë i kushtojmë mbështetjes së gazetarisë së pavarur, duke përfshirë këtu edhe gazetarinë e gjelbër. Projektet tona kanë për synim në përmirësimin e kualitetit të mësimdhënies në shkolla dhe përfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta. Këto projekte po ndihmojnë në fushat ku institucionet e Kosovës kanë nevojë për ndihmë ose ku u mungojnë burimet apo ekspertizat e nevojshme. Për më tepër ato nuk ndihmojnë vetëm në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të saj, por edhe në cilësinë më të lartë të jetës të grupeve dhe komuniteteve të ndryshme.

Pavel Bílek, Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: Në cilat tema mund të ketë bashkëpunim më të madh ndërmjet dy vendeve në të ardhmen?

Pavel Bílek: Çekia është një vend modern evropian i hapur për çdo lloj bashkëpunimi të dobishëm për të gjitha palët e përfshira. Siç e theksova edhe më herët, ka ende shumë për të identifikuar çështje në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Ka potencial të konsiderueshëm në bashkëpunimin ekonomik dhe Çekia është e interesuar për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve tona ekonomike dypalëshe. Ka shumë shembuj shumë të mirë të bashkëpunimit tonë në energji, mbrojtjen e mjedisit, transportin dhe sektorë të tjerë.

Zhvillimi i qëndrueshëm aktualisht përfaqëson një nga sfidat më të mëdha aktuale në Evropë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të marrim pjesë në modernizimin e sektorit energjetik të Kosovës duke përfshirë kalimin e tij në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Ne gjithashtu mund të ofrojmë teknologji të zgjuara për infrastrukturën e transportit, për të vazhduar përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave dhe për të sjellë teknologji të tjera në lidhje me mjedisin, të cilat mund të zhvillojnë shumë cilësinë e jetesës. Ne kemi shumë për të ofruar në modernizimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Kosovë.

Natyrisht nuk duhet harruar as bashkëpunimi më i gjerë në fushën e kulturës dhe arsimit.

Pas pushimit të shkaktuar nga pandemia, ne patëm fatin të sjellim sërish në Kosovë muzikantë çekë të cilët treguan aftësitë e tyre në festivalin e muzikës klasike “Chopin Piano Fest Prishtina” dhe në koncertin e Platformës Kulturore të Evropës Qendrore në Prishtinë në muajin qershor. Për më tepër, shpresojmë që në të ardhmen të tregojmë në Kosovë edhe më shumë nga kultura jonë e pasur. /Telegrafi/

Exit mobile version