Telegrafi

Bildt: Mosvënia e sanksioneve ndaj Rusisë, e s’kualifikon Serbinë nga procesi i anëtarësimit në BE

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Carl Bildt, ka reaguar pas vendimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mos vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë, pavarësisht se shumica e vendeve të botës tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.

Përmes një shkrimi në Twitter, Bildt tha se me këtë veprim Serbia nuk mund të futet në Bashkimin Evropian.

“Me këtë qëndrim, Serbia de facto u s’kualifikua nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nuk duhet të ketë vend për në BE, anëtarët e rinj që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona themelore”, shkroi ai.

Ndaj vendimit të Serbisë ka reaguar edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Lexo po ashtu Kosnett: Duket se Aleksandar Vuçiq zgjodhi Vladimir Putinin në vend të Perëndimit, BE dhe SHBA ta keni parasysh

Ai u është drejtuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ta kenë parasysh veprimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq karshi Vladimir Putin.

Këtë koment Kosnett e ka bërë në profilin e tij në Twitter, duke shtuar se veprimi i Vuçiqit është frikë morale.

“Pra, duket se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka zgjedhur Putinin në vend të Perëndimit – derisa pretendon se duart e tij janë të lidhura nga opinioni publik dhe fshihet pas Kishës Ortodokse. Kjo nuk është udhëheqje: është frikë morale. BE, SHBA ju lutemi ta keni parasysh”, ka shkruar Kosnestt. /Telegrafi/