Site icon Telegrafi

Biden: Ukraina ka sfiduar në çdo hap Rusinë – ndihma e fundit do të përfshijë edhe sistemin “Patriot”

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe presidenti amerikan, pas takimit në Shtëpinë e Bardhe, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat.

Biden nisi fjalimin duke thënë se është kënaqësi ta takojë personalisht homologun e ukrainas.

Është hera e parë që dyshja takohen me njëri-tjetrin që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Presidenti amerikan më pas vlerësoi Ukrainën për sukseset e saja, raporton skynews.

“Ukraina ka fituar betejën e Kievit, fitoi betejën e Kharkivit, fitoi betejën e Khersonit… Ukraina ka sfiduar pritshmëritë e Rusisë në çdo hap”, pohoi ai.

Duke shënjestruar Kremlinin, presidenti amerikan tha se Rusia po përdor dimrin “si një armë”, transmeton Telegrafi.

“Ne duhet të jemi të qartë për atë që po bën Rusia. Ajo po sulmon me qëllim infrastrukturën kritike duke i shkatërruar sistemin për të siguruar ngrohje dhe dritë për popullin ukrainas gjatë muajve më të ftohtë dhe më të errët”, pohoi i pari i shtetit amerikan.

“Rusia po përdor njerëzit si armë, duke i ngrirë dhe i uritur… është shembulli më i fundit i mizorive që forcat ruse po kryejnë kundër popullit ukrainas”, deklaroi 80-vjeçari.

Ai shtoi se Vladimir Putin “nuk ka ndërmend të ndalojë këtë luftë mizore”, raporton cnn.

Biden njoftoi zyrtarisht se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një paketë shtesë ndihme prej 1.8 miliard dollarësh në Ukrainë, e cila do të përfshijë sistemin e mbrojtjes raketore Patriot.

“Do të duhet pak kohë për të përfunduar trajnimin e nevojshëm për të operuar me sistemin”, tha Biden dhe shtoi se raketat Patriot do të jenë një “aset kritik” për mbrojtjen e Ukrainës.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që ukrainasit mund “të mbrojnë vendin e tyre kundër agresionit të Rusisë për aq kohë sa duhet”.

Presidenti falënderoi anëtarët e Kongresit amerikan për mbështetjen dypartiake për Ukrainën.

Biden njoftoi se Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do të dërgojë më shumë se 374 milionë dollarë ndihmë humanitare në Ukrainë.

“Sot, USAID do të dërgojë ndihma urgjente në vlerë të mbi 374 milionë dollarëve për Ukrainën. Kjo ofron ndihma ushqimore dhe në para për më shumë se 1.5 milion ukrainas, si dhe qasje në kujdesin shëndetësor, ujë të pijshëm dhe për ngrohje gjatë dimrit për më shumë se 2.5 milionë ukrainas”, tha Biden gjatë konferencës dypalëshe me presidentin ukrainas në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/

Exit mobile version