Site icon Telegrafi

Biden thotë se ai dënoi sulmin rus në një bisedë me Zelensky të Ukrainës

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se ai ka biseduar të mërkurën vonë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky përmes një telefonate.

“Unë e dënova këtë sulm të paprovokuar dhe të pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse. E informova atë për hapat që po ndërmarrim për të mbledhur dënimin ndërkombëtar, duke përfshirë sonte në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Biden në një deklaratë, përcjell Telegrafi.

Ai ka shtuar se Zelensky i kishte kërkuar “për t’u bërë thirrje liderëve të botës që të flasin qartë kundër agresionit flagrant të presidentit (Vladimir Putin) dhe të qëndrojnë me popullin e Ukrainës”.

Biden shtoi se ai do të takohet me liderët e vendeve të G7 dhe se SHBA dhe aleatët e saj do të vendosin “sanksione të ashpra ndaj Rusisë”.

Ndryshe, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se trupat e tij do të ndërmarrin veprime në rajonin e Ukrainës të kontrolluar nga separatistët, të cilin ai e shpalli të pavarur këtë javë.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleb, ka shkruar në Twitter se Putini ka nisur “pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulme. Kjo është një luftë agresioni. Ukraina do të mbrojë veten dhe do të fitojë. Bota mund dhe duhet ta ndalojë Putinin. Koha për të vepruar është tani”, ka shkruar ai në Twitter.

E presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka “aktivizuar” ligjin ushtarak dhe u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë të qetë në një fjalim të shkurtër të enjten në mëngjes. /Telegrafi/

Exit mobile version