Presidenti amerikan, Joe Biden tha mbrëmë se do të jetë “e vështirë” të arrihet një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës para Ramazanit.
“Do të jetë e vështirë”, tha Biden para gazetarëve, të cilët e pyetën nëse një marrëveshje kishte të ngjarë të arrihet përpara muajit të shenjtë të myslimanëve, raporton skynews.
Ai shtoi gjithashtu se ishte “shumë” i shqetësuar për dhunën që mund të shpërthejë në Jerusalemin Lindor, territor palestinez i aneksuar dhe i pushtuar nga Izraeli.
Hamasi njoftoi mbrëmë se nuk do të bënte “asnjë kompromis” rreth kërkesave për një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e trupave izraelite në këmbim të çdo marrëveshjeje për lirimin e pengjeve.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se i takon Hamasit që të bëjë përparim të mëtejshëm në arritjen e një marrëveshje për armëpushim.
“Topi është në fushën e tyre. Ne jemi duke punuar intensivisht për të dhe do të shohim se çfarë bëjnë ata”, shtoi ai.
Ndryshe, autoritetet e Hamasit kanë thënë se deri më tani janë vrarë mbi 30 mijë palestinezë dhe mbi 1200 izraelitë që nga 7 tetori i vitit të kaluar. /Telegrafi/