Site icon Telegrafi

Biden premton mbështetje të palëkundur të SHBA-së për Izraelin, por paralajmëron se opinioni botëror mund të ndryshojë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden të hënën mbrëma deklaroi mbështetjen e tij të palëkundur për “sigurinë e popullit hebre dhe sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për të ekzistuar” pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti amerikan vuri në dukje mbështetjen e tij për Izraelin, ndërsa pranoi dallimet mes tij dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Megjithatë, Biden tha se Izraeli ishte në “një pikë të vështirë”, pas sulmit të Hamasit dhe luftës pasuese në Gaza.

“Ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë ndihmë ushtarake Izraelit derisa ata të heqin qafe Hamasin, por ne duhet të jemi të kujdesshëm – ata duhet të jenë të kujdesshëm”, tha Biden. “E gjithë opinioni publik i botës mund të ndryshojë brenda natës, ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë”.

Presidenti gjithashtu përshëndeti punën që ka bërë administrata e tij për të siguruar lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gaza dhe dërgimin e ndihmës humanitare në rajon.

“Ne po punojmë pa pushim për kthimin e sigurt të pengjeve. Unë personalisht kalova orë të panumërta – dhe e kam fjalën, ndoshta deri në 20 orë me njerëzit e Katarit dhe egjiptianët, izraelitët – për të siguruar lirinë e pengjeve, për të futur kamionët, për të futur ndihmat humanitare, për t’i bindur ata të hapin portën”, tha Biden.

“Dhe ka një sërë gjërash që po ndodhin tani që janë vërtet shumë, shumë të vështira. Ne kemi më shumë se 100 pengje dhe nuk do të ndalemi derisa të kthejmë secilin prej tyre në shtëpi”. /Telegrafi/

Exit mobile version