Site icon Telegrafi

Biden miraton furnizimin e Ukrainës me mina tokësore – për përdorim kundër forcave ruse

Presidenti amerikan Joe Biden ka miratuar ofrimin e minave tokësore kundër personelit për Ukrainën.

Kështu ka thënë një zyrtar amerikan për Reuters, në një hap që mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimeve ruse në lindje të saj, përcjell Telegrafi.

SHBA pret që Ukraina të përdorë minat në territorin e saj, megjithëse është zotuar të mos i përdorë ato në zonat e populluara me civilët e saj.

SHBA i ka ofruar Ukrainës mina antitank gjatë gjithë luftës së saj me Rusinë, por shtimi i minave kundër personelit synon të zbehë përparimin e trupave tokësore ruse, shtoi zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.

Zyra e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ministria e mbrojtjes e Ukrainës, ministria ruse e mbrojtjes dhe Kremlini nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesave të Reuters për koment.

Masa vjen mes pretendimeve se disa nga më shumë se 10,000 trupat e Koresë së Veriut të dislokuara në Kursk nga ushtria ruse kanë marrë pjesë tashmë në betejat atje.

Një ligjvënës i Koresë së Jugut, Park Sun-won, tha të mërkurën se agjencia e saj e spiunazhit ishte ende duke u përpjekur të përcaktojë numrin e saktë të viktimave të trupave të Koresë së Veriut dhe nëse ndonjë prej tyre ishte dorëzuar. /Telegrafi/

Exit mobile version