Telegrafi

Biden i kërkon Kongresit, 33 miliardë dollarë shtesë për ta ndihmuar Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden do t’i kërkojë Kongresit, 33 miliardë dollarë shtesë për ta ndihmuar Ukrainën në luftën që e filloi Rusia në këtë shtet evropian.

Kërkesa e cila vjen pasi lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e saj të nëntë, do të përfshijë më shumë se 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe 8.5 miliardë dollarë ndihmë ekonomike, transmeton Telegrafi.

Kjo pako është dy herë më e madhe se paketa fillestare prej 13.6 miliard dollarësh, që Kongresi e pati miratuar muajin e kaluar.

Lexo po ashtu Kryeprokurorja ukrainase publikon fotografitë dhe të dhënat e dhjetë ushtarëve rusë, përgjegjës për krime lufte mbi civilët në Bucha

Lëvizja e fundit sinjalizon një angazhim afatgjatë të Shteteve të Bashkuara për të penguar përpjekjen e presidentit rus Vladimir Putin, për të zgjeruar kontrollin e Rusisë ndaj fqinjit të tij dhe ndoshta më gjerë.

“Kërkesa e presidentit për financim është ajo që ne besojmë se është e nevojshme për të mundësuar suksesin e Ukrainës gjatë pesë muajve të ardhshëm të kësaj lufte”, tha një zyrtar i administratës amerikane për Politico.

“Ne kemi çdo pritshmëri që partnerët dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të ofrojnë nivele të krahasueshme ndihme në të ardhmen”, shtoi ai. /Telegrafi/