Presidenti amerikan Joe Biden do t’i kërkojë Kongresit, 33 miliardë dollarë shtesë për ta ndihmuar Ukrainën në luftën që e filloi Rusia në këtë shtet evropian.
Kërkesa e cila vjen pasi lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e saj të nëntë, do të përfshijë më shumë se 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe 8.5 miliardë dollarë ndihmë ekonomike, transmeton Telegrafi.
Kjo pako është dy herë më e madhe se paketa fillestare prej 13.6 miliard dollarësh, që Kongresi e pati miratuar muajin e kaluar.
Lëvizja e fundit sinjalizon një angazhim afatgjatë të Shteteve të Bashkuara për të penguar përpjekjen e presidentit rus Vladimir Putin, për të zgjeruar kontrollin e Rusisë ndaj fqinjit të tij dhe ndoshta më gjerë.
“Kërkesa e presidentit për financim është ajo që ne besojmë se është e nevojshme për të mundësuar suksesin e Ukrainës gjatë pesë muajve të ardhshëm të kësaj lufte”, tha një zyrtar i administratës amerikane për Politico.
“Ne kemi çdo pritshmëri që partnerët dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të ofrojnë nivele të krahasueshme ndihme në të ardhmen”, shtoi ai. /Telegrafi/