Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar dhe është kundër eskalimit verbal për luftën në Ukrainë, vetëm një ditë pasi homologu i tij amerikan Joe Biden e përshkroi liderin rus Vladimir Putin si kasap, duke theksuar se ai nuk duhet të mbetet në pushtet.
E lidhur me këtë ka reaguar Macron i cili tha për mediat franceze se qëllimi i tij është armëpushimi në Ukrainë dhe tërheqja e trupave ruse nga ky shtet, transmeton Telegrafi.
Ai tha se përmes eskalimit verbal nuk mund të ketë veprime. E autoritetet amerikane kanë mohuar se Bideni ka bërë thirrje për ndërrimin e regjimit në Rusi, pasi këto komente i bëri gjatë vizitës në Poloni.
Macron ka mbajtur kontakte me presidentin rus që kur ka shpërthyer agresioni në Ukrainë – madje është zotuar se gjatë dy ditëve të ardhshme do të bisedojë me Putinin në telefon për të organizuar evakuimin e civilëve nga qyteti port Mariupol, i cili nga fillimi i pushtimit rus është nën bombardimin e vazhdueshëm. /Telegrafi/