Moska është duke pësuar humbje të mëdha sa i përket numrit të vrarë të ushtarëve, gjatë tentimit të pushtimit të tërë rajonit të Donetskut në Ukrainë.
Madje morgjet janë mbushur me kufomat e ushtarëve të vrarë të cilët janë vendosur edhe nëpër shkolla të improvizuara si morgje, transmeton Telegrafi.
“Për shkak të humbjeve të mëdha në Avdiivka, rusët po i vendosin kufomat e ushtarëve të vrarë nëpër shkollat e braktisura”, thuhet në kumtesën e ushtrisë ukrainase.
“Morgjet në Donetskun e okupuar janë mbushur me ushtarë që Putini po i përdor si mish për top në Avdiivka”, u tha ndër tjera.
Sipas mediave të pavarura ruse, ushtria e Putinit po përdor edhe morgje mobile në afërsi të Avdiivkas.
E nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Rusia që nga fillimi luftës ka pësuar humbje të mëdha – mbi 400 mijë ushtarë rusë të vrarë.
Sipas zyrtarëve të Mbrojtjes në SHBA, Rusia ka humbur në luftën e Ukrainës deri në 315 mijë ushtarë, mbi 20 luftanije, një kosto e dëmeve materiale që shkon në mbi 211 miliardë dollarë. /Telegrafi/