Telegrafi

Besiktas dhe Fiorentina në ‘luftë’ pas shitjes së Gomezit

Pas tri vitesh jashtë vendit, Mario Gomez është kthyer në Gjermani, ku ka nënshkruar për Wolfsburgun.

Sulmuesi i kombëtares gjermane shkëlqeu sezonin e shkuar në Turqi, ku shënoi 26 gola në 33 ndeshje për Besiktasin, ndaj fitoi një vend në kombëtare.

Wolfsburgu i pagoi 7 milionë euro këtë verë Fiorentinës, që zotëronte kartonin, por këtu ka plasur sherri mes klubit italian e Besiktasit, që zotëronte gjysmën e kartonit.

Fiorentina deklaroi se në bilanc ka arkëtuar 1.1 milion euro, që do të thotë se Besiktasit i shkojnë 550.000 euro, por klubi turk proteston dhe akuzon Fiorentinën se nuk dëshiron t’i japë shifrën që i takon, duke kërcënuar me gjyq në FIFA.

Ndërkaq, Gomez e ka nisur keq në Bundesligë, duke mos shënuar ende, pas katër ndeshjesh në formacion.