Site icon Telegrafi

Besëtytni shqiptare

Ilustrim

Atë Donat Kurti, një ndër folkloristët më të njohur shqiptarë që aktivitetin e tij e zhvilloi në malet shqiptare, kryesisht në Dukagjin, në veprën “Doke e zakone shqiptare”, botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendos besëtytnitë që lidhen me të.

Lexo po ashtu Besëtytni shqiptare: Pse i vdekuri “shqetësohej”, kur rimartohej bashkëshortja që e la të ve?

Në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt, ai shkruan:

Besëtytni në lidhni me mik.

– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).

– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).

– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (ngopë). (Malsi e Madhe).

Lexo po ashtu Pse në veri, burrat qëllonin me armë pranë kokës së gruas?

– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).

– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).

– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).

– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).

– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).

– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër).

Lexo po ashtu Pse kolliteshin malësorët, kur ecnin natën vetëm?

Në fund të kapitullit “Fëmijët në familje”, në pikën e tretë, ai shkruan:

– Fëmijës, një ditë mbasi ta ketë falë Zoti, i jepet me pi ujë me pak hi brenda, që mos me e marr më sysh (Mirditë).

– Në rast se një mik harron në at’ shpi ku nji grue asht me barrë, nji fyshek, që, pa dashtë, i ka ra prej rrethit a qemerit, ose harron kutinë e duhanit, ose pipin, thohet se me siguri ka me lind nji djalë (Mirditë).

– Kur shkojnë gratë me vizitu gruen që ka lind e fëmijën, lyejn përpara majen e gishtit me pështymë e, tuj thanë “Marshallah” i prekin buzën fëmijës (Dibër).

Lexo po ashtu Kafja si ritual mesazhesh dhe simbolikash për shqiptarët

– Për mos me marrë më sysh fëmija, e zhigasin (e ngjyejnë) në fytyrë më dy – tri danga (njolla) të zeza e i varin nji pare ndër flokë (Dibër).

– Kur lahet fëmija për herë të parë, thehet në ujë nji kokërr vë (vezë) dhe e përziejn me ujë (Dibër).

Lexo po ashtu Çfarë simbolizonte fisheku në pajën e nuses?

Në pikën e katërt Atë Donati shkruan: Fjalë t’urta!

– Ku asht fmija, gëzohet shpija.

– Kur len (lind) vajza, kjajnë hatllat e shpisë (Malsi e Madhe).

– Kollomoqi i vonë i lopve, djali i vonë i shokve (Dukagjin).

– Djali i plakut, vaji i sokakut (Has).

– Djali pa nanë si nata pa hanë.

– Gjysë asht pak, nji asht tepër (për vajzat, Shkodër).

Lexo po ashtu Çfarë u ndodhte burrave të veriut nëse nuk merrnin hak?

 

Exit mobile version