Telegrafi

Besar Halimi mund të rikthehet në futbollin danez, por ka ofertë edhe nga Bundesliga 3

Besar Halimi vazhdon të mbetet një futbollist i lirë që nga largimi i tij prej Rigas.

Mesfushori kosovar është i lirë që nga muaji mars dhe ende është në pritje të një oferte të mirë.

Mediat në Danimarkë kanë raportuar se Halimi prej disa ditësh po stërvitet me skuadrën daneze OB Odense për të mbajtur formën, por ai mund të nënshkruajë me këtë skuadër.

Halimi ka kaluar dy vite në futbollin danez nga 2017 deri më 2019 me fanellën e Brondbyt ku shënoi 12 gola dhe dhuroi 10 asistime në 63 ndeshje.

Gjilanasi gjatë kësaj jave pritet të marrë vendim përfundimtar për të ardhmen e tij, nëse do të nënshkruaj me Odensen apo do të rikthehet në Gjermani.

Lexo po ashtu E gjithë ajo që ndodhi në afatin kalimtar veror 2022

27-vjeçari ka në tavolinë ofertën nga skuadra e Bundesliga 3, Munich 1860 dhe pritet të vendos për të ardhmen e tij.

Reprezentuesi kosovar e ka nisur karrierën tek të rinjtë e Eintracht Frankfurt, derisa në grupmosha ka luajtur edhe për Darmstadt Nurenberg e Stuttgart.

Ndërkohë karrierën tek seniorët e ka filluar tek Stuttgart Kickers për të vazhduar edhe te Mainz, FSV Frankfurt dhe Brondby e Sandhausen. /Telegrafi/