Bernardo Silva është bërë njëri nga futbollistët kryesor të Manchester Cityt këtë edicion.
Sulmuesi portugez ka shkëlqyer këtë edicion me klubin anglez në 40 paraqitje në të gjitha garat.
24-vjeçari ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë 10 asistime, duke qenë ndër më meritorët për sukseset e Cityt deri më tani.
Ditë më parë ka qenë trajneri spanjoll Pep Guardiola, që në një konferencë tha se Silva është ylli më i madh i Portugalisë, duke e lënë atë prapa Cristiano Ronaldos.
Por ka qenë vetë anësori portugez që ka thënë se nuk dëshiron të krahasohet me Ronaldon pasi mbetet larg tij.
“Unë mendoj se njerëzit e kanë interpretuar më ndryshe atë që ka thënë Guardiola”.
“Ajo që ka bërë Cristiano në këto 15 vite në futboll është diçka e jashtëzakonshme. Ai është njëri nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave”, u shpreh Silva.
“Ronaldo ka bërë gjëra të mëdha, ndërsa unë nuk mund të krahasohem me të,pasi nuk jam si ai”, përfundoi Silva.
24-vjeçari iu bashkua Manchester Cityt në verën e vitit 2017 nga Monaco për 50 milionë euro. /Telegrafi/