Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi beson se ai është ai që mund të bindë mikun e tij të vjetër Vladimir Putin të ulët në tryezën e bisedimeve dhe t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Madje, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Berlusconi synon që një gjë të tillë ta bëjë para Krishtlindjeve.
Manjati mediatik 86-vjeçar është pas një marrëveshjeje paqeje, të ndërmjetësuar nga ai vetë, dhe aeroplani i tij privat tashmë është në gatishmëri, shkruan botimi.
Vittorio Sgarbi, i besuari i Berlusconit dhe tani nënsekretari për kulturën në qeverinë e re të Giorgia Melonit, ka thënë se Berlusconi mendon për veten si ndërmjetësin e vetëm të mundshëm.
Ai i tha botimit: “Berlusconi i do aktet bujare”.
“Dhe ky është gjesti që ai ka në mendje. Ai beson se mund ta arrijë atë dhe nëse e bën, pa cenuar pozicionin e NATO-s, ai do të hyjë në librat e historisë si një hero global”.
Berlusconi ka luajtur më parë rolin e ndërmjetësit në bisedimet midis Perëndimit dhe Rusisë më parë – veçanërisht në samitin e Romës në 2002, i cili çoi në krijimin e një këshilli të përhershëm NATO-Rusi.
Dhe kjo tani po vlerësohet si “koha më e mirë”.
Rusia ka pësuar një tjetër poshtërim ushtarak duke braktisur qytetin kyç të Khersonit dhe administrata e Joe Biden thuhet se po i thotë Volodymyr Zelenskyt të mendojë seriozisht për paqen.
Muajin e kaluar, Forza Italia e Berlusconit ishte pjesë e koalicionit të krahut të djathtë që formoi qeverinë e re të Italisë të udhëhequr nga Giorgia Meloni.
Ajo është gati të autorizojë paketën e gjashtë të mbështetjes së vendit dhe tha në një samit të NATO-s javën e kaluar se ajo mbron plotësisht të drejtën e vendit për “integritet territorial, sovranitet dhe liri”. /Telegrafi/