Promovimi i paqes dhe sigurisë dhe kështu promovimi i zhvillimit të mirë të rajonit: ky ishte qëllimi i takimit të Ballkanit Perëndimor në Kancelari – një nismë e përbashkët e Gjermanisë dhe Francës. Vëmendje e veçantë i është kushtuar marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Kështu shkruan në fillim të një shkrimi në faqen zyrtare të Kancelarisë së Gjermanisë, përcjell Telegrafi.
Siç thuhet tutje, kancelarja federale, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë ftuar bashkërisht krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin.
Gjermania dhe Franca ndjenin një përgjegjësi të përbashkët për një zhvillim pozitiv në rajon, citohet të ketë thënë Merkel në takimin të hënën, duke shtuar se kjo është në interesin evropian.
“Me zhvillimet në Maqedoninë veriore, ne kemi parë hapa shumë të guximshëm që na japin shpresë se konfliktet e gjata mund të zgjidhen”, citohet të ketë thënë kancelarja Merkel.
Sipas saj, diskutimi tani do të përqendrohet në pyetjen se si mund të avancohen marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës.
Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Serbia morën pjesë në takimin në Kancelarinë Federale, si dhe ata të shteteve anëtare, të Kroacisë dhe Sllovenisë. Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini ishte gjithashtu e pranishme.
Ndërsa në një shkrim tjetër po nga faqja zyrtare e Kancelarisë, bëhet e ditur se të pranishmit kujtuan perspektivën e përbashkët evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Përveç vlerësimit të për përfundimin e suksesshëm të marrëveshjes mbi mosmarrëveshjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë Veriore, si një shembull i shquar i zgjidhjes së suksesshme të konflikteve, ata theksuan rëndësinë e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës për stabilitetin në rajon.
Siç shkruan tutje, një marrëveshje e tillë është thelbësore për rrugën e Serbisë dhe Kosovës në Evropë.
“Ata ranë dakord që një marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe politikisht e qëndrueshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në rajon. Serbia dhe Kosova ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nëpërmjet BE-së, me qëllim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një procesi negociator gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili duhet të shoqërohet me masa të ndërtimit të besimit”, shkruan ndër tjerash në faqen zyrtare të Kancelarisë së Gjermanisë. /Telegrafi/