Site icon Telegrafi

Berlini mund të ndërmjetësojë bisedimet Rusi-Ukrainë, thotë ish i dërguari i Kievit në Gjermani

Ish-ambasadori ukrainas në Gjermani i ka bërë thirrje Berlinit që të fillojë ndërmjetësimin diplomatik për ndaljen e luftës në Ukrainë.

Andriy Melnyk ka thënë se kancelari Olaf Scholz mund të përdorte kanalet diplomatike të Gjermanisë për të eksploruar nëse bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin do të ishin të vlefshme, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Melnyk ishte ambasador i Ukrainës në Gjermani nga viti 2015 deri në vitin 2022 dhe tani është ambasador në Brazil.

Ai u bë gjerësisht i njohur në Gjermani për kërkesat e tij dhe padurimin në rritje me hezitimin e qeverisë gjermane për të ofruar mbështetje të mëtejshme për Kievin, ndërsa Ukraina kërkon të zmbrapsë një pushtim rus në shkallë të plotë, të nisur në shkurt 2022.

Deklarata e tij vjen në ditën kur kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka bërë thirrje për ripërtëritjen e përpjekjeve për të sjellë paqe në Ukrainë, duke thënë se ai dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, janë pajtuar se nevojitet një konferencë e re për paqe në të cilën do të përfshihej edhe Rusia.

“Besoj se tani është koha të diskutohet se si të arrihet paqja nga kjo gjendje lufte, me një ritëm më të shpejtë”, tha Scholz në një intervistë për transmetuesin ZDF, shkruan REL.

Scholz është nën trysni në vendin e vet, pasi të gjitha tri partitë e koalicionit të qendrës së majtë pësuan humbje të dhimbshme në zgjedhjeve rajonale një javë më parë, derisa grupet që synojnë marrëdhënie më të mira me Moskën, fituan më shumë vota.

Partia nacionaliste Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe partia e re BSW, të cilat e kundërshtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit nga Rusia, shënuan arritje rekorde në zgjedhje.

Zelensky tha në korrik se synon ta ketë gati një plan deri në nëntor, në mënyrë që Kievi të jetë në gjendje ta organizojë samitin e dytë ndërkombëtar për paqe në Ukrainë, duke shtuar se në të duhet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Rusia. /Telegrafi/

Exit mobile version