Site icon Telegrafi

Berisha thirrje mbështetësve: Gjuani me vezë dhe domate ambasadat e huaja, kanë hyrë në fushatë krah Ramës

Foto: Arkiv

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se ambasadat e huaja në Shqipëri janë future në fushatë elektorale krah PS-së.

Komentet Berisha i bëri përmes një deklarate për mediat, ku ftoi qytetarët që të protestojnë para ambasadave të huaja në Shqipëri, të cilat ai i quajti narkoambasada dhe tha se duhen gjuajtur me vezë dhe domate.

Po ashtu Berisha paralajmëroi se ata që prekin votën e lirë, do të trajtohen si bashëautorë në një krim të rëndë elektoral.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme.

Ndaj unë u kërkoj degëve të PD kudo që janë të organizojnë manifestime dhe demonstratat më të rrezikshme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë.

Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale, të ndaluar me ligj.

Po kështu të shënjojnë, të krijojnë librin e zi, në të cilin do regjistrojnë çdo akt që vjen në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit, emrin, funksionin, detyrën dhe aktin që kryen punonjësi i dhënë.

Qeveria, në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, është lëshuar e papërmbajtur, e tmerruar në një seri vendimesh, që të gjitha me qëllime elektorale.

Garantoj përfituesit e tyre se do trajtohen si bashkëautorë në një krim të rëndë elektoral.

Të lexojnë kodin dhe të mos bëhen bashkëautorë të një bande kriminale që nuk njeh ligj, as Kushtetutë. /Telegrafi/

Exit mobile version