Telegrafi

Berisha refuzon masat kufizuese: Urdhri i gjykatës i paligjshëm

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha deklaroi se nuk e njeh vendimin e gjykatës që e detyron të paraqitet dy herë në muaj pranë shërbimit të provës.

Gjatë një konference për media nga selia blu, ish-kryeministri deklaroi se vendimi i GJKKO është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nuk është respektuar imuniteti i deputetit dhe është shmangur parlamenti.

Berisha la të kuptohet se nuk do të shkojë të paraqitet pranë shërbimit të provës, në bazë të masës së sigurisë që i është caktuar nga gjykata.

“Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe është e paligjshme”, tha ish-kryeministri.

Berisha gjithashtu e cilësoi SPAK-un të dirigjuar nga kryeministri Rama. Si shembull për këtë ai pretendoi sekuestrimin e shpejtë të pronave të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të tij.

Lexo po ashtu Ish-kryeministrit Sali Berisha i kërkohet të paraqitet në SPAK dy herë në muaj

Berisha nënvizoi se në rastin e biznesmenit Pëllumb Gjoka, SPAK përdori një standard të dyfishtë, ku ai u lejua të zbraste llogaritë bankare përpara se të bëheshin sekuestrimet.

“Profesor Abi Malltezit, pa provuar pas tri vitesh asnjë shkelje ligjore në mënyrë absolute, i vendosin sekuestro brenda orës, për të gjitha pronat e tij. Vrasësit Pëllumb Gjoka, mikut të ngushtë të skapistëve kriminelë, u detyruan t’i vendosin sekuestron megjithëse duhet të dini një gjë, regjistrimet e bisedave dhe mesazheve në EncroChat dhe SKY, gjykata franceze i ka pranuar si prova të mirëfillta krimi. Megjithëse janë dorëzuar, kanë kaluar 2 ose 3 muaj dhe vetëm dje u kujtuan se ky problem ekziston”, tha Berisha.

Gjithashtu, Berisha i bëri një ftesë publike kryeministrit Edi Rama që të votojë në kuvend amendamentin e propozuar prej tij në 2012 që i heq imunitetin deputetëve, duke i bërë ata të barabartë me qytetarët para drejtësisë.

“Me qëndrimin tim po mbroj Kushtetutën e Shqipërisë, përndryshe do të shkoj në gjykatë për të zbardhur të vërtetat e fshehura qëllimisht. Ndaj e ftoj edhe një herë Ramën të vij të votojë amendamentin që heq çdo mbrojtje për deputetët, deputetët e opozitës do ta mbështesin njëzëri. Unë nuk mund dhe nuk do lejoj që një gjykatës mercenar të rishkruajë kushtetutën në tavolinë. Jemi republikë parlamentare jo kryeministrore. Tani i bëj një ftesë publike Ramës, nëse është burrë, ta votojmë; ai është në qeveri ne jemi në opozitë”, tha Berisha. /Telegrafi/