Telegrafi

Berisha flet për përplasjen me Bullgarinë: Rama si ordiner i tregon turpin një vendi mik

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha ka folur sot për deklaratat e Kryeministrit Edi Rama mbi Bullgarinë në samitin e BE-së, si për reagimin e Ministrisë së Jashtme bullgare ditën e sotme.

Në një komunikim me gazetarët, Berisha ka thënë se Bullgaria është një vend mik dhe ka qenë gjithmonë avokate e Shqipërisë.

“Bullgaria ka të regjistruar në arkivat e saj me qindra vendime miqësore me shqiptarët. Turpi të mbulojë Edi Ramën, që një vendi mik i tregon turpin, si ordiner”, ka thënë Berisha.

Lexo po ashtu Deklarata e Ramës në Bruksel, Berisha: Është rreshtuar me Vuçiq dhe Putin

Berisha kujtoi gjithashtu se Bullgaria u bashkua me NATO-n në betejën kundër Serbisë në Kosovë.

“Bullgaria është një vend mik dhe çdo qeveritar shqiptar ka gjetur në atë qeveri veçse miq. Bullgaria u bashkua me NATO-n në betejën kundër Serbisë në Kosovë. Bullgaria ka qenë gjithmonë avokat i Shqipërisë dhe del vasali i Vuçiçit për t’i dhënë turpin atij vendi. Unë i kërkoj ndjesë popullit bullgar në emër të Partisë Demokratike dhe e garantoj se nuk është ky mendimi i shqiptarëve”, tha Berisha.

Lexo po ashtu Rama pas reagimit të Bullgarisë: Miqtë e vërtetë nuk dëmtojnë njëri-tjetrin, hiqni veton, ose më duroni!

Berisha përsëriti thirrjen e tij për  mbajtjen e një proteste në Tiranë më 7 korrik kundër qeverisë dhe Ballkanit të Hapur. /Telegrafi/