Site icon Telegrafi

Beqir Balluku, letër sovjetikëve: Kujdes me likuidimin e Bazës së Vlorës!

Publikohen dokumentet autentike nga arkivat e Traktatit të Varshavës, rreth krisjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik. “Nëse qeveria sovjetike merr vendimin e njëanshëm për likuidimin e Bazës së Vlorës, atëherë ajo do të kryejë një akt të rrezikshëm e shumë të rëndë dhe do të marrë mbi vete një përgjegjësi shumë të madhe jo vetëm para popullit shqiptar, por dhe para gjithë popujve të vendeve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës dhe gjithë kampit socialist”. Kështu i drejtohej ministri Beqir Balluku, palës sovjetike në Traktatin e Varshavës për Bazën e Vlorës, përmes një letre të posaçme”. “Veprime të kësaj natyre nga ana jua, janë jashtëzakonisht të dënueshme për çështjen e përgjithshme të Traktatit të Varshavës dhe gjithë kampit socialist”, vlerëson mes të tjerash Balluku.

Përkthyer nga: Myfit Qorduka

***

Letër e Gjeneral Beqir Ballukut, Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, dërguar Mareshalit A.Greçko, Komandant i Traktatit të Varshavës, për Bazën e Vlorës

“Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Bashkuara të Traktatit të Varshavës, Mareshalit të Bashkimit Sovjetik, A.Greçko, Moskë.

Shoku Mareshal!

Dje, më 27 mars 1961, në orën 23.00 mora letrën tuaj, në përgjigje të letrës sime të datës 25 shkurt 1961.

Para së gjithash, unë e konsideroj të domosdoshme të vërej se letra juaj nuk u përgjigjet atyre çështjeve të rëndësishme principale, të cilat përmban letra ime e 25 shkurtit 1961, por përmban një seri faktesh inekzistente dhe kërcënime të palejueshme, të cilat unë, duke mbrojtur nderin e popullit tim, të Partisë së Punës e të Republikës Popullore të Shqipërisë, si dhe miqësinë e përjetshme shqiptaro-sovjetike dhe interesat e larta të Organizatës së Traktatit të Varshavës e gjithë kampit socialist, në asnjë mënyrë nuk mund t’i pranoj.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, asnjëherë nuk e ka lejuar mosvlerësimin e ndihmës së dhënë nga Bashkimi Sovjetik, përkundrazi, gjithmonë e ka vlerësuar shumë lart dhe me mirënjohje të thellë atë. Përpjekja për të vënë në dyshim marrëdhëniet e miqësisë vëllazërore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, nuk kanë bazë. Unë konstatoj se kjo miqësi e kalitur nga Partia jonë e Punës dhe nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik mbi principet e Marksizëm-Leninizmit, në zjarrin e luftës së përbashkët, kundër armiqve të përbashkët, konsiderohet e pavdekshme dhe nuk do të ketë forcë në botë që ta prishë këtë miqësi.

Republika Popullore e Shqipërisë është shtet socialist, pjesëmarrëse besnike e kampit të lavdishëm socialist të Traktatit të Varshavës, në të cili hyn pikërisht për atë, se është ky shtet dhe lufton dhe do të luftojë pa u trembur për fitoren e socializmit e komunizmit, për realizimin e principeve të larta që qëndrojnë në themele të kampit socialist dhe Traktatit të Varshavës.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë edhe në të ardhmen nuk do të tërhiqet nga pengesat dhe presionet që do t’i bëhen në rrugën e saj; do t’i qëndrojë besnike Traktatit të Varshavës gjithmonë dhe do t’i plotësojë kurdoherë me nder detyrat e saj për ruajtjen dhe forcimin e këtij Traktati, për forcimin e mëtejshëm të fuqisë mbrojtëse dhe unitetit të kampit të socializmit.

Unë nuk ka sesi të bie dakord me pikëpamjet tuaja jo të drejta, lidhur me njoftimin për plane të organizuara kundër Republikës së Shqipërisë dhe të zbuluara kohët e fundit nga organet shtetërore shqiptare të sigurisë. Mua më duhet të nënvizoj, se asnjë njeriu nuk i lejohet të vërë në dyshim deklaratën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, të bërë për këtë problem në Kongresin e 4-t të saj. Siç ju kemi informuar nëpërmjet përfaqësuesit tuaj në Shqipëri, në lidhje me këto plane, qeveria shqiptare disponon të gjitha faktet e domosdoshme, por ajo nuk e gjykoi të arsyeshme t’i kërkojë ndihmë Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, kështu që në kohën e duhur e kuptoi agjenturën e armikut dhe ishte e bindur se në këtë mënyrë rreziku kërcënues ishte zmbrapsur. Përsa u përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj lidhur me bazën Ushtarake të Vlorës, unë e gjykoj me vend të vlerësoj se rastet e përmendura nga ju si marrëdhënie e palejueshme të personave shqiptarë përgjegjës ndaj ushtarakëve sovjetikë janë joreale, prandaj u vendosën në dosjen e korrespodencës, që u transmetuan më 22 mars 1961 përfaqësuesit në Shqipëri, gjeneral-kolonel Andrejevit nga ana e kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, në të cilën u dhanë shpjegime të plota dhe u ndriçuan faktet e vërteta dhe përgjegjësia. Unë dua edhe njëherë të nënvizoj se qeveria shqiptare, që nga fillimi dhe gjithmonë ka marrë masat e nevojshme për atë që marrëdhëniet midis efektivave shqiptare e sovjetike, përsa varen nga efektivi shqiptar, do të jenë plotësisht marrëdhënie vëllazërore.

Në letrën tuaj, shoku Mareshal, ju shkruani që në qoftë se qeveria shqiptare është e interesuar që të vijnë në të ardhmen në bazë nëndetëse sovjetike dhe anije të tjera, atëherë është e udhës që të kompletoni anijet luftarake, repartet dhe shërbimet e tyre vetëm me ekuipazh sovjetik, ndryshe ju raportoni për këtë çështje Komitetin Konsultativ Politik dhe vendosni para qeverisë sovjetike, çështjen mbi largimin nga Shqipëria të të gjitha anijeve luftarake sovjetike, ushtarakëve e specialistëve. Në lidhje me atë sa u tha më lart, unë e shoh të nevojshme të deklaroj si më poshtë:

Së pari, Baza Ushtarake Detare e Vlorës, që është bazë unike e kampit socialist në detin Mesdhe dhe ka një rëndësi të madhe si për mbrojtjen e Shqipërisë, po ashtu dhe për gjithë kampin socialist, është krijuar me iniciativën e Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë dhe detyrimet e qeverisë shqiptare e asaj sovjetike në këtë bazë janë të përcaktuara në marrëveshjet e përbashkëta, ku plotësimi i tyre i përpiktë nga ana e qeverisë sovjetike, siç e kemi theksuar edhe më parë, do ta bënte plotësisht të aftë ushtarakisht.

Së dyti, kërkesa juaj për kompletimin e anijeve luftarake të bazës vetëm me ekuipazh sovjetik, e shoqëruar me kërcënimin e largimit të tyre, domethënë me likuidimin e Bazës së Vlorës, jo vetëm që bie në kundërshtim me marrëveshjen e ekzistuese, por do të ishte dhe një veprim i palejueshëm për sovranitetin e RPSH dhe do të ishte goditje e drejtpërdrejtë e principeve marksiste-leniniste të marrëdhënieve të shteteve të kampit socialist dhe Traktatit të Varshavës.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë e konsideron të papranueshme këtë ndërhyrje dhe deklaron se në qoftë se qeveria sovjetike, sipas propozimit tuaj, merr vendimin e njëanshëm për likuidimin e Bazës së Vlorës, atëherë ajo do të kryejë një akt të rrezikshëm e shumë të rëndë, do të marrë mbi vete një përgjegjësi shumë të madhe jo vetëm para popullit shqiptar, por dhe para gjithë popujve të vendeve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës dhe gjithë kampit socialist.

Duke i llogaritur kërcënimet që përmban letra juaj e papranueshme, gjykoj me vend që edhe një herë të konstatoj se veprime të kësaj natyre nga ana jua, janë jashtëzakonisht të dënueshme për çështjen e përgjithshme të Traktatit të Varshavës dhe gjithë kampit socialist dhe do të ishte shumë më mirë, në qoftë se ju nuk do të hyni në këtë rrugë shumë të rrezikshme dhe me përgjegjësi, krejtësisht e paimagjinueshme dhe me detyrime të mëdha, që u është besuar ju nga qeveritë e të gjitha vendeve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës.

Sipas opinionit të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, si rruga më e drejtë e më logjike në zgjidhjen e këtij problemi shumë të rëndësishëm, do të ishte largimi i qeverisë sovjetike nga pozicioni jo i drejtë i zënë prej tyre, për çështje që lidhen me forcimin e mëtejshëm të Bazës Ushtarako-Detare të Vlorës dhe me forca të përbashkëta të të dy vendeve të forcojmë bashkëpunimin, dhe për likuidimin e çdo keqkuptimi në frymën e miqësisë vëllazërore, e cila duhet të karakterizojë marrëdhëniet midis dy vendeve tona. E tillë marrëdhënie, për këtë çështje, patjetër do i shërbente interesave të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, si dhe interesave të të gjithë kampit socialist.

Me respekt:

Ministri i Mbrojtjes i Republikës Popullore të Shqipërisë

Gjeneral Kolonel Beqir Balluku

Moskë, 28 mars 1961.

(Nga “Parallely history Project”. Arkivi i Shtetit Shqiptar. Dosje Nr. 3, viti 1961, faqe 4, datë 28 mars 1961).

***

Vendim i Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës

Kërcënimi i Traktatit të Varshavës për Shqipërinë

Komiteti Politik Konsultativ, pasi u njoh me letrat e 28-29 marsit që u shkëmbyen midis Komandantit Suprem të Forcave të Bashkuara dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore të Republikës së Shqipërisë, mbi gjendjen e punëve në Bazën Ushtarake Detare të Vlorës në Shqipëri, po gjithashtu, duke llogaritur mendimet që u thanë në seksionin e Komitetit në lidhje me këtë çështje për plotësimin nga Shqipëria të detyrimeve të saj që rrjedhin nga shtrimet e Traktatit të Varshavës, me keqardhje vëren se kohët e fundit, nga ana e Shqipërisë janë bërë disa hapa që nuk i përgjigjen principeve dhe shtrimeve të Traktatit të Varshavës.

Në Bazën Ushtarake të Vlorës, nga ana e Shqipërisë, është krijuar një situatë jonormale dhe e patolerueshme midis shteteve anëtare të Traktatit të Varshavës. Kjo ka ulur seriozisht gatishmërinë luftarake të kësaj baze.

Pjesëtarët e Komisionit e drejtuan vëmendjen në atë që, në Kongresin e 4-t të PPSH, shoku Enver Hoxha bëri deklaratën se gjoja po përgatitet një plan sulmi. Përveçse kjo ngjarje ka një rëndësi shumë të madhe ushtarake për të gjitha vendet e Traktatit të Varshavës, asnjëri prej këtyre vendeve, bile dhe Komandanti Suprem i Forcave Ushtarake të Bashkuara, deri tani, nuk janë vënë në dijeni nga Shqipëria dhe për këtë, deri tani nuk janë dhënë informacione për këtë çështje. Të tilla veprime nga ana e Republikës Popullore të Shqipërisë nuk i përgjigjen shtrimit të artikujve 3 dhe 5, të Traktatit të Varshavës.

Komiteti Politik Konsultativ pret që Republika Popullore e Shqipërisë, menjëherë t’i paraqesë Komandantit Suprem të Forcave të Bashkuara Ushtarake të Traktatit të Varshavës, të dhënat dhe bazën, mbi të cilën u mbështet deklarata e përfaqësuesit të Partisë dhe qeverisë së Shqipërisë, për çështjen e sulmit mbi Shqipërinë.

(Marrë nga arkivat e Traktatit të Varshavës, origjinali rusisht. Arkivat e Shtetit Shqiptar, Dosja Nr.4, viti 1961, datë 29 mars 1961)

***

INCIDENTI

Ndarja solli në Pashaliman zv-ministrin Sovjetik të Punëve të Jashtme

Dështimi i ikjes së dhunshme të sovjetikëve me gjithe nëndetëset e Bazës së Pashalimanit (falë urdhrit të drejtuesve të Shtetit Shqiptar dhe gatishmërisë së oficerëve e detarëve tanë në pikun e acarimeve), i detyroi sovjetikët që të ndërronin kursin: të nisnin bisedimet me palën shqiptare, për ndarjen e nëndetëseve. Për  këtë qëllim, u krijuan komisionet përkatëse, ku nga Rusia (Bashkimi Sovjetik) erdhi në bazë Firjubini, zëvendës-ministër i Punëve të Jashtme. Këtë radhë, ai nuk u prit me ndere dhe nuk u shoqërua nga funksionarë të lartë të Ministrisë sonë të Mbrojtjes, por erdhi si një funk-sionar i thjeshtë, për të qenë i pranishëm në negociatat e vështira të ndarjes së nëndetëseve. Debatet që filluan nga rusët (sovjetikët), me pretendimin se “nëndetëset janë tonat”, se “riparimi dhe mirëmbajtja është bërë nga ne”, tentuan të arrinin në bisedime atë që nuk mund të arrinin me dhunë, marrjen e të gjitha nëndetëseve. Sipas dokumenteve zyrtare që ruhen në arkivin e ministrisë sonë të Mbrojtjes, përballë pakënaqësisë kërcënuese të sovjetikëve dhe qëndresës së palës shqiptare, më në fund u arrit marrëveshja për ndarjen e nëndetëseve luftarake të Pashalimanit. Kështu, katër prej tyre i mbeteshin FLD-së tonë, ndërsa tetë të tjera do t’i merrnin sovjetikët, në ikjen e tyre të padëshiruar. /Albanian Free Press/

Exit mobile version