Telegrafi

Beqaj: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të vështirësohet, nëse në krye të politikës së jashtme të BE-së vjen ministri spanjoll

Samiti i jashtëzakonshëm Evropian, ka nominuar kandidatët për pozitat kyçe të Bashkimit Evropian. Një ndër emrat kyç është Joseph Borrell Fontelles,  ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, që do të zëvendësojë shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Joseph Borell është një përfaqësues socialist, i cili ka udhëhequr diplomacinë spanjolle që nga viti 2018, do të jetë Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Lexo po ashtu Kush janë të nominuarit për pozitat kyçe të BE-së dhe 6 hapat e mbetur drejt institucioneve të reja

Ndryshe paraardhësja e tij, Federica Mogherini, është marrë drejtpërdrejt me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, andaj kjo do të jetë hera e parë që ky funksion, ka një përfaqësues të një shteti, që i përket një grupi të vendeve të BE-së, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke e ditur këtë, është vënë dilema nëse do të vështirësohet procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Belul Beqaj, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se pavarësisht bindjeve të Fontelles, ai nuk do të bie në kundërshtim me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Beqaj beson se Fontelles do të punoj që problemi mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet brenda kufijve ekzistues.

“Nuk besoj se Fontelles do të sillet nuk kundërshtim me synimet e politikës së jashtme të BE-së, pavarësisht se çfarë janë bindjet e tij. Përkundrazi, besoj se ai do të jetë shumë kooperativ që problemi mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet brenda kufijve ekzistues”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vështirësia e procesit të dialogut më shumë varet nga faktorët politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Besoj se shkalla e vështirësive dhe dinamika e zgjidhjes, më shumë varet nga krijimi i klimës unike brenda faktorëve politikë mes Serbisë dhe Kosovës. Veçmas mes faktorëve ndërkombëtarë Evropës dhe SHBA-së, sesa nga udhëheqësi i ri i politikës së jashtme në BE”, ka thënë Beqaj.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka kohë që është ndërprerë.

Lexo po ashtu Kushtetuesja aprovon kërkesën e LDK-së dhe VV-së: Ekipi negociator është antikushtetues

Ndërsa ditë më parë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetë është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit.

Lexo po ashtu Ahmeti pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e PSD-së largohen nga Ekipi Negociator

Pas këtij vendimi kreu i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti njëherësh kryetari i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se, Partia Socialdemokrate e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se do të veprojë sipas tij.

Lexo po ashtu Limaj: Do të konsultohem me partnerët e koalicionit, pas shpalljes të Ekipit negociator jo kushtetues

Po ashtu edhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili njëherësh ka qenë bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror të Kosovës në dialogun me Serbinë, ka thënë se ai dhe partia e tij do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila tha se Delegacioni shtetëror është jokushtetues./Telegrafi/