Telegrafi

Bënte thirrje për sulme terroriste, arrest me burg për një person pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri

Gjykata e Posaçme Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin G.Ç., i cili po hetohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK për nxitje të veprave terroriste në Shqipëri.

Përmes një njoftimi zyrtar SPAK bën me dije se ka dyshime të arsyeshme të bazuara mbi prova se shtetasi i akuzuar ka kryer veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Hetimi ka nisur nga SPAK në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë se Antiterrorit, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg’’.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 31 datë 11.04.2023 ka vendosur ndaj këtij të hetuari masën e sigurimit personal ‘’arrest në burg’’.