Dy skuadrat e mëdha evropiane, Benfica dhe Milan janë duke projektuar një shkëmbim të bujshëm.
Skuadra portugeze ka bërë ofertën e parë zyrtare në drejtim të Rossonerëve për mesfushorin brazilian Lucas Paqueta.
Portugezët kanë ofruar 28 milionë euro, por që Milani ende nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare.
Në rast se nuk pranohet kjo ofertë, Benfica është gati ta ofrojë shkëmbimin mes Paquetas dhe mesfushorit të tyre Florentino i cili mbetet një objektiv i Milanit.
Gjithsesi kampionët e shumëfishtë të Portugalisë mund ta transferojnë Paquetan për këtë shumë dhe ta dërgojnë Florentinon si huazim një vjeçar te Milani me kuqezinjtë që do ta kenë të drejtën e blerjes për shumën e 20 milionë eurove.
Paqueta iu bashkua Milanit në janarin e vitit 2019, por pas fillimit të mirë ai ka humbur pozitën e titullarit te Rossonerët.
Në anën tjetër edhe mesfushori 20-vjeçar i Benficas, Florentino ka humbur vendin e titullarit, por që vazhdon të mbetet një objektiv madhor i Milanit.
Mediat portugeze kanë raportuar se dy klubet kanë pasur kontakte të vazhdueshme nëpërmjet lidhjeve telefonike dhe se ky shkëmbim me gjasa të mëdha do të ndodhë në verë. /Telegrafi/