Telegrafi

Ben Stiller vizitoi Ukrainën dhe takoi disa familje që ikën nga lufta

(Foto: Screenshot/Twitter/AP)

Aktori hollivudian, Ben Stiller, e ka vizituar të dielën Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe takoi disa familje që u detyruan të largoheshin nga ky vend.

56-vjeçari vizitoi kryesisht refugjatët ukrainas në Poloni si ambasador i vullnetit të mirë në UNHCR, ndërsa më pas është parë edhe në Lviv në mesin e një grupi të vogël njerëzish.

Qyteti në Ukrainën perëndimore u sulmua nga forcat ruse gjatë agresionit që po zgjat me muaj, por mbeti relativisht i paprekur në krahasim me sulmet e ashpra në lindje të vendit.

Për vizitën e Stiller ka folur edhe Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës, duke shpërndarë fotografi të aktorit.

Lexo po ashtu Zelensky paralajmëron se Rusia do të përshkallëzojë sulmet e saj këtë javë

“Faleminderit mik”, ka shkruar mes tjerash ai në përshkrimin e fotografive në Twitter.

Edhe vet Stiller ndau në rrjetet e tij sociale fotografi të takimit me familjet jeta e të cilave u shkatërrua nga lufta dhe dhuna në Ukrainë.

“Miliona janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre dhe më shumë se 90 për qind e tyre janë gra dhe fëmijë”, shkroi aktori në një postim.

“Unë jam këtu për të mësuar, për të ndarë histori që ilustrojnë ndikimin e luftës te njerëzit dhe për të rritur thirrjen për solidaritet. Të gjithë kanë të drejtën e sigurisë. Kushdo. Kudo. Në çdo kohë”, ka shtuar ai. /Telegrafi/