Site icon Telegrafi

Belegu: Në Zonën Ekonomike Amerikane vetëm kompanitë me kapital amerikan (Video)

Erolld Belegu, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se themelimi i Zonave Ekonomike do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai gjatë një intervistë për Telegrafin tha se Zonat e Ekonomike do t’u mundësojnë komunave që bizneset t’i kenë në një vend.

Belegu ka folur edhe për Zonën Ekonomike Amerikane në Gjakovë. Sipas tij, kjo zonë dallon me zonat e tjera ekonomike të themeluara deri më tani.

Ai ka treguar edhe arsyen se përse është zgjedhur Gjakova e jo Vushtrria si shtëpi e kësaj zone.

“Arsyeja se pse Gjakova, ka qenë e vetmja hapësirë toke publike e ofruar prej mbi 1,000 hektarëve. Komuna e Vushtrrisë është e para që është deklaruar për një zonë të tillë menjëherë pasi vendimi është marrë në Qeveri. Por komuna e Vushtrrisë ka ofruar një tokë e cila nuk është tokë e komunës dhe ka pasur hapësirë vetëm prej 239 hektarëve. Pozita dhe lidhjet në Gjakovë janë më të mira, sepse atje është Aeroporti i Gjakovës që pritet të funksionalizohet, është lidhja me Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, hekurudhën si dhe afërsia me Portin e Durrësit”, ka pohuar Belegu.

Përveç taksave atraktive që ka Kosova, për kompanitë amerikane sipas tij, do të jetë edhe zona e tyre.

“Jemi në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, USAID-in dhe jemi duke negociuar sesi do të jetë forma e përzgjedhjes së këtyre kompanive”, tregon ai.

Sipas tij, Zona Ekonomike Amerikane në Kosovë, do të jetë një mundësi e mirë edhe për rritjen e investimeve të huaja në vend.

Belegu ka thënë se kanë kërkesa për themelimin e dhe të Zonave Ekonomike të tjera në komuna të tjera.

“Të gjitha komunat dëshirojnë ta kenë zonën e vetë ekonomike, secili kryetar ka ambicie të dëshmohet para elektoratit të vetë. Krijimi i Zonave Ekonomike, u mundëson komunave që bizneset t’i kenë në një vend, e jo të shpërndara”, tha Belegu.

Lexo po ashtu Themelohet Zona Ekonomike amerikane

Ai ka treguar se komunat kanë probleme për gjetjen e parcelave të tokës për Zona Ekonomike, e për këtë Qeveria e ka ndal privatizimin e tokave.

Këshilltari për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur edhe drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili ka thënë se Qeveria po merr vendime pa konsultime me bizneset.

Lexo po ashtu Zeka: Qeveria po merr vendime pa konsultime me bizneset (Video)

Ndryshe, përveç Zonës Ekonomike Amerikane ekziston edhe Parku i Biznesit dhe Inkubatori i Biznesit në Drenas, Parku i Biznesit Holandez në Prizren, Parku i Biznesit në Suharekë, Parku i Biznesit në Mitrovicë, Parku Industrial dhe Inkubatori i Biznesit në Shtime, Inkubatori i Biznesit në Deçan, Inkubatori i Biznesit në Gjilan. /Telegrafi/

Exit mobile version