Telegrafi

Bekë Berisha – Sveçlës: Mos më shit mend ti mu këtu, dilum jashtë – dështon raportimi i ministrit për veri

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku ishte paraparë të raportonte ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, lidhur me operacionin në veri.

Tensionet në komision filluan pasi ministri Sveçla kërkoi të raportonte së bashku me drejtorin e Policisë, por që një gjë të tillë e refuzoi drejtori i Komisionit, Bekë Berisha, raporton Telegrafi.

“Mos me shit mend ti mu këtu”, tha Bekë Berisha drejtuar ministri Sveçla.

Pas kësaj reagoi anëtari i LVV-së në Komision, Enver Dugolli, duke thënë se Bekë Berisha po dëshiron vetëm show mediatik. Ndërkaq, Berisha reagoi ashpër ndaj Dugollit, i cili më pas edhe lëshoi sallën e Komisionit.

“Ti je ekip e jemja. Ju jeni mësuar me do vota me shpëtu këtë njeri që ka bo gabime. Unë e kam thirr drejtorin ndaras prej ministrit. Sillu si komision, pse ki frikë me marrë me pyet ministrin ndaras nga drejtori. Ky u msu si deputet mos me i respektua rregullat, ka shku i ka shkel rregullat atje na ka qit faqen e zezë, e ka kthy KFOR-in në veri, pse duhet me pas drejtorin e Policisë me veti. Hajde jashtë edhe ti”, deklaroi Berisha.

Pas këtyre zhvillimeve, kryetari i Komisionit, Bekë Berisha bëri publike pyetjet të cilat kishte planifikuar të bëjë në raportimin e Sveçlës.

Berisha fajësoi ministrin Sveçla se po e shet vendin. /Telegrafi/