Telegrafi Maqedoni ka nisur emisionin më të ri “PodGO”, në të cilin do të ketë të ftuar nga sfera të ndryshme dhe do të realizohet në një stil të veçantë. Në këtë emision, i cili xhirohet në makinë, do të trajtohen tema nga një këndvështrim më interesant.
I ftuari i parë është aktori Behar Nesimi, i cili luan njërin ndër rolet kryesore në serialin “Bashkallajk”, prej ku edhe u bë i njohur për publikun. Ai na tregon se si e ka nisur profesionin e tij si aktor, si dhe suksesin më të madh në botën e serialeve.
Behari thotë se në vitin 2009 është bashkangjitur në teatrin e fëmijëve “Pinokio”, për të cilin ka ende mall, ndërsa shprehet se suksesi në serialin “Bashkallajk” nuk ka ardhur brenda natës.
Ai thotë se ideja e këtij seriali është që të shfaq disa nga fenomenet negative në shoqëri dhe të njëjtat të përmirësohen.
“Në fillim të serialit kemi qenë edhe ne skeptikë, se si do të pritet. E kam thënë edhe më herët se në serial zhvillohen paralelisht tre tema: është Tetova me Prishtinën, një familje më konservatore me një më laike, si dhe tema e qytetarëve dhe fshatarëve. Janë tema në të cilat secili e gjen veten tek ndonjëra. Është pritur mjaft mirë. Tani është ngritur edhe vetëdijesimi i njerëzve, pasi në fillim serialin nuk e kanë pritur si duhet”, thotë Behari.
I pyetur për projektet në të ardhmen, ai tha se është në pritje të disa projekteve filmike me një produksion danez.
“Ata janë të interesuar të bëjnë film, por edhe bashkëproduksion me produksionet tona dhe të ketë vazhdimësi të prodhimit të filmeve. Kam biseduar dhe më kanë thënë se më kanë paraparë në disa role. Gjithashtu jam takuar me një aktor, por edhe producent, pasi ai e kishte të gjithë stafin në Gjermani. Edhe ata e kishin njëfarë agjende për film dhe ishin të interesuar për bashkëpunim. Janë edhe disa projekte tjera në plan”, tha Behari./Telegrafi/
Ky emision është mbështetur nga Porsche Maqedoni dhe KFC Maqedoni.