Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që BE të ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjatë takimit të zhvilluar ditën e sotme në Presidencë, Begaj i ka kërkuar shefes së KE-së që të Evropa të mbajë qëndrim ndaj Serbisë duke marrë masa ndaj saj.
“Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë takim për të përshëndetur qëndrimet e Bashkimit Evropian për stabilizimin e paqes në rajon duke kërkuar që të ndëshkohet sulmi terrorist serb i 24 shtatorit ndaj një vendi sovran siç është Kosova dhe destabilizim të të gjithë rajonit”, thuhet në njoftimin e Presidencës pas takimit me Von der Leyen.
Po sipas njoftimit të Presidencës bëhet e ditur se është diskutuar edhe mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, situatën e sigurisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe rreth bashkëpunimit rajonal në optikën e Procesit të Berlinit, transmeton RTSH.
“Shqipëria është e vendosur në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, nënvizoi presidenti Begaj në këtë takim.
Duke u ndalur në situatën kritike të sigurisë që po kalon Evropa dhe Ballkani Perëndimor, presidenti Begaj e siguroi zonjën Von der Leyen se “Shqipëria vazhdon të mbështesë e të jetë e linjëzuar me politikat e jashtme dhe ato të sigurisë së BE-së.”
Duke e cilësuar si ngjarje historike mbajtjen e Samitit të liderve të Procesit të Berlinit për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor të martën në Tiranë, Presidenti Begaj u shpreh se është “besimplotë se ky samit do të nxisë marrëdhënie më të mira midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se do të ndërtojë shinat e duhura për krijimin e një tregu ekonomik të zonës, shina që do zgjaten më pas drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian”. /Telegrafi/