Site icon Telegrafi

Begaj uron Kosovën: Nderim burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj uroi sot Kosovën në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në një mesazh urimi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit shprehu nderimin për mijëra burra dhe gra që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!”, shkruan Presidenti Begaj në mesazhin e tij.

Procesi për statusin përfundimtar të Kosovës nisi zyrtarisht në nëntor të vitit 2005. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.

Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, më 17 shkurt të vitit 2008.

Exit mobile version