Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ndodhet këtë të hënë në Konispol, i shoqëruar nga kryetari i kësaj bashkie, Ergest Dule, vendosi një kurorë me lule në Varrezën Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer.
Memorial i kushtohet viktimave të eksodit të çamëve gjatë viteve 1944-1945. Kjo vizitë e Kreut të Shtetit u përshëndet nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Shoqata Patriotike “Çamëria”.
Përmes një reagimi të shpërndarë në rrjetet sociale, PDIU shkruan se Begaj është Presidenti i parë që nderon kujtimin e 2900 viktimave të gjenocidit dhe spastrimit etnik grek mbi shqiptarët e Çamërisë.
“Akti i sotëm është një shembull i mirë për të gjitha institucionet dhe shtetarët në respekt të historisë tonë dhe sakrificës së jetëve të humbura nga padrejtësitë e së kaluarës”, thuhet në reagim. /Telegrafi/