Në konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut që po mbahet në Shqipëri, presidenti i vendit, Bajram Begaj ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në këtë kartë është një hap drejt sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, Begaj theksoi se bota gjendet në konflikte të përgjakshme siç është në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, të cilat sipas tij, “kërkojnë një qasje të bashkuar dhe një angazhim të përbashkët për t’i adresuar ato në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme”.
“Ukraina përballet me një agresion të paprecedentë të paligjshëm nga Rusia. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë Ukrainën në bashkëpunim me aleatët strategjikë. Në Lindjen e Mesme që prej një viti kemi përshkallëzim të konfliktit duke krijuar edhe atje një vatër të nxehtë. Këto çështje madhore kërkojnë një qasje të bashkuar dhe një angazhim të përbashkët për t’i adresuar ato në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme”, theksoi Begaj.
Begaj vuri në dukje se Ballkani Perëndimor përballet me sfida në fushën e sigurisë, ku sipas tij, rajoni i brishtë ndaj “ndikimeve të brendshme dhe të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur”.
“Rajoni ynë, Ballkani Perëndimor përballet me sfida me specifike, veçanërisht në fushat e sigurisë. Rajoni ynë mbetet i brishtë ndaj ndikimeve të brendshme dhe të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur. Tensionet e krijuara, ndërhyrja nga aktorët e tretë dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike kërkojnë bashkëpunim të thelluar ndër vete dhe me partnerët tanë. Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet”, u shpreh Begaj.
Ai vuri në dukje se shqiptarët janë një faktor konstruktiv në rajon që kanë kontribuar për paqen dhe sigurinë. Në këtë mënyrë, sipas Begajt, edhe Kosova duhet të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut duke forcuar jo vetëm sigurinë e saj por edhe të gjithë rajonit të Ballkanit.
“Shqipëria do të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe stabilitetin. Shqiptarët e rajonit janë një faktor konstruktiv dhe të moderuar duke kontribuar në paqe, në siguri dhe stabilitet. Ata janë dëshmuar si mbështetës të së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të rajonit tonë. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar vazhdimisht për të përçuar sigurinë në rajon dhe për të promovuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturën euroatlantike. Në këtë rrugëtim është me rëndësi të përfshihen edhe anëtarë të rinj që dëshirojnë të anëtarësohen në iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut dhe në NATO. Anëtarësimi i Kosovës në këtë kartë është thelbësor jo vetëm për sigurinë e Kosovës por edhe stabilitetin e gjithë rajonit. Kosova ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe përbën një faktor kontribuues për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha më tej në fjalën e tij, presidenti Begaj. /Telegrafi/