Site icon Telegrafi

Begaj i dorëzon shtetësinë shqiptare trajnerit të Kombëtares së futbollit Sylvinho

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj i dorëzoi dje në mbrëmje pasaportën shqiptare trajnerit të Kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho Mendez Campos Junior.

Pasaporta iu dorëzua trajnerit të Kombëtares gjatë mbrëmjes gala “Më të mirët 2023”, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij Rama tha se “ndjej nevojën për të falënderuar me gjithë zemër të gjithë ata që e mundësuan këtë sukses të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, përgëzimin dua ta filloj nga pak më larg, nga Gianni De Biassi, i cili është njeriu që na tregoi se kjo nuk është një ëndërr e pamundur. Dua ta vazhdoj me Edi Rejan. Të ndaloj një sekondë këtu, me Sylvinho: E njeh Presidentin e Shqipërisë? Presidentin tonë, jo të Brazilit, duhet të vish, sepse do të ta prezantoj. Atëherë, siç premtuam, sot duam të gjithë së bashku të të japim shtetësinë shqiptare”.

Presidenti Begaj tha se, “është kënaqësi të marr pjesë në këtë mbrëmje gala, të vlerësojmë FSHF që na bëri krenarë me pjesëmarrjen në Euro 2024. Sot po i japim trajnerit të Kombëtares një kontratë legale të legalizuar nga FSHF. Unë po e legalizoj si shqiptar, besoj se kam edhe mbështetjen tuaj”.

Trajneri Sylvinho tha: “Faleminderit shumë! Është një mbrëmje shumë e rëndësishme për mua, për historinë e Sylvio Mendez Campos Junior. Një djalë që ka dalë nga San Paolo dhe nisi një rrugëtim, shkoi në Londër, Barcelonë, Mançester, Milano dhe mbërriti në Tiranë, një tokë dhe vend i bukur. Është një nder të jap një kontribut në futboll. Keni bërë një rrugë shumë të bukur deri tani”.

Exit mobile version