Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas sulmit që ka ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Begaj ka dënuar ashpër sulmin derisa ka mbështetur fuqishëm përpjekjet e Kosovës për përballimin e situatës.
“Zhvillova një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku dënova ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës. Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, tha Begaj, në reagimin e bërë në Facebook.
Mjete eksplozive janë vendosur mbrëmjen e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, duke shkaktuar dëme serioze.
Ndryshe, Policia e Kosovës, rreth orës 19:00 ka siguruar informacione se në veri të vendit, në fshatin Varage të Zubin Potokut, është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër Lepenci”.
Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit.
Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar. /Telegrafi/